RTV AHIRETI
Lajme

Kosovë, qeveria do t’i mbështesë qytetarët në blerjen e pajisjeve elektrike efiçiente

kosove,-qeveria-do-t’i-mbeshtese-qytetaret-ne-blerjen-e-pajisjeve-elektrike-eficiente

Ministria e Ekonomisë në Kosovë ka lansuar “Thirrjen publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente dhe sistemin diellor për ngrohjen e ujit sanitar”, raporton Anadolu.

Në prezantimin publik mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se fokusi i Qeverisë nuk është vetëm rritja e kapaciteteve prodhuesve të energjisë, por paralelisht po bëhet punë edhe në efiçiencën e energjisë.

Ai tha se kjo nuk është vetëm ulje e konsumit, por efiçienca e energjisë përveç se ndikon në uljen e kostove financiare në familjet, ndikon edhe në uljen e importit të energjisë në Kosovë.

“Efiçienca e energjisë përveç se ndikon në uljen e kostos, ndikon në reduktimin e emetimit të gazrave serrë dhe uljen e importit të energjisë. Kjo pako ka vlerën më të lartë për kokë banori në rajon. Kjo skemë nuk do të jetë e fundit, me ato që do t’i prezantojmë edhe javët në vijim”, theksoi Kurti.

Kryeministri tha se Qeveria ka miratuar Planin e Veprimit duke investuar 75 milionë euro për të zbutur ndikimin socio-ekonomik të krizës energjetike.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se vitin e kaluar u lansua programi i parë i masave të efiçiencës së energjisë që ka përfshirë investime në pajisje ngrohëse me buxhet prej 6 milionë eurove ku kanë përfituar rreth 10 mijë qytetarë.

Ajo tha se suksesi i këtij programi ka bërë që edhe këtë vit të planifikohen mbështetje të tilla, por me buxhet më të madh.

“Sivjet për herë të parë në Kosovë do të investohen rreth 30 milionë euro në investime në sektorin rezidencial që është shumë më e madhe se sa historikisht që është investuar ndonjëherë në këtë sektor”, theksoi Rizvanolli.

Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, po ashtu u bëri thirrje qytetarëve që të aplikojnë për t’i fituar këto subvencione.

Ai tha se përfitimet nga këto masa janë të shumëfishta jo vetëm nga kursimi financiar, por ndikojnë edhe për një shëndet publik më të mirë.

“Jemi të përkushtuar për të mbështetur Kosovën për një energji të pastër”, tha Bianciardi.

Disa nga pajisjet që do të subvencionohen nga ministria për qytetarët janë 100 euro për frigorifer, 150 euro për makina enëlarëse, ndërsa për makina rrobalarëse me 200 euro dhe për instalimi i sistemit diellor për ngrohje të ujit në shtëpi shteti do të mbështesë qytetarët me deri 1 mijë euro.

Related posts

Rasti Dehari dhe zhdukja e mostrave në IML – çfarë dihet deri më tani

admin

Digjet një zyre brenda IML-së

admin

Në sulmet e fundit në Gaza, Izraeli vret të paktën 26 palestinezë

rezart morina