Një ditë pas vërshimeve të mëdha në qytetin e Skenderajt, pasojat vazhdojnë të sjellin probleme për banorët, raporton Anadolu Agency (AA).
Uji i cili doli nga shtrati i lumit Klina pas reshjeve të pandërprera ditëve të fundit, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale
Disa banorë po vazhdojnë të heqin ujë dhe baltë nga oborret dhe shtëpitë e tyre, e po ashtu edhe interierin e dëmtuar të shtëpive nga uji.
Zona ku kalon lumi në këtë qytet është prekur më së shumti nga vërshimet, ndërsa një pjesë e qytetit nuk është përballur me ujin për shkak të distancës me lumin.
Një nga pjesët ku më së shumti janë bërë dëme materiale është ajo në qendër, afër një shitoreje të madhe ku, volumi i lartë i ujit dhe rryma e tij përplasi veturat në parkingun e kësaj shitore njëra me tjetrën.
Sot, qytetarë të shumtë me ndihma vetjake por dhe me ndihmën e autoriteteve u zgjuan duke u përpjekur që t’i largojnë veturat nga uji.
Përpos Skenderajt, me vërshime në orët e fundit janë përballur edhe komuna tjera si ajo e Pejës, Junikut, Deçanit, Klinës, Mitrovicës e të tjera.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK), ka bërë të ditur se si pasojë e reshjeve të shiut, që janë duke vazhduar sidomos në disa pjesë të vendit, disa lumenj kanë dalë prej shtretërve të tyre dhe janë duke shkaktuar përmbytje.
Sipas IHMK-së, situata e vështirësuar hidrometeorologjike pritet që të vazhdojë dhe gjatë orëve dhe ditëve në vijim, deri më datë 25 janar.
Pas gjendjes së rënduar në komunat ku ka pasur vërshime në ndihmë qytetarëve u kanë ardhur edhe nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), zjarrfikësit dhe autoritetet lokale.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë vizituar sot rreth 20 pjesëtarë të FSK-së të cilët me kamion ushtarak dhe barkë lundruese, u kanë dalë në ndihmë banorëve të fshatit Drejë, në Istog.
Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime duke i ndihmuar e mbështetur ata.