Britania po merr pjesë në luftën kundër Rusisë në krah të Kievit, tha të hënën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në Moskë, Peskov akuzoi Londrën për minimin e përpjekjeve për një zgjidhje paqësore.
“Britania po merr pjesë në këtë luftë. Ajo po merr pjesë në këtë luftë në krah të regjimit të Kievit. Britania në mënyrë sistematike dhe të rregullt i hedh benzinë zjarrit dhe në mënyrë sistematike dhe të rregullt harton plane për të parandaluar çdo përparim në procesin e zgjidhjes paqësore”, tha ai.
Deklaratat e tij u bënë teksa kryeministri britanik, Andy Burnham vizitoi Kievin, ku pritej të njoftonte mbështetjen britanike për zhvillimin nga Ukraina të raketave me rreze të gjatë veprimi, duke përdorur informacione mbi komponentët e prodhuar në Britani të raketave anglo-franceze Storm Shadow/SCALP.
Kremlini tha se kjo lëvizje do ta përshkallëzonte më tej konfliktin.
Peskov tha se forcat ruse po punojnë për të identifikuar objektet ku prodhohen raketat dhe pajisjet e tjera ushtarake për Ukrainën dhe po marrin masa për shkatërrimin e këtyre objekteve.
Duke komentuar sulmet ukrainase ndaj shitësve online rusë Ozon dhe Wildberries, Peskov tha se Kievi po shënjestron infrastrukturën logjistike tregtare për arsye të ndryshme, por sipas tij nuk do të jetë në gjendje t’i përdorë këto sulme për të ndryshuar situatën në fushëbetejë.

