Rusia tha se ende nuk ka vendosur nëse do të zgjasë marrëveshjen për eksportin e drithërave që ka arritur me Ukrainën, nën ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara dhe Turqisë.
Kjo marrëveshje pritet të skadojë më 18 maj.
“Ka shumë pyetje për të cilat ende nuk ka përgjigje sa i përket pjesës sonë të marrëveshjes… tani ne duhet të marrim vendim”, tha për gazetarët zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës – dy shtete që janë eksportuese të mëdha të drithërave – rriti frikën për një krizë globale ushqimore kur portet e mëdha ukrainase u bllokuan nga luftanijet ruse.
Në korrik të vitit 2022 u arrit marrëveshja që mundësoi rinisjen e eksporteve të drithërave ukrainase. Po ashtu, palët arritën një memorandum që eksportet ushqimore ruse dhe të plehrave artificiale të mos pengoheshin.
Megjithatë, Rusia vazhdimisht ka kërcënuar se do të tërhiqet nga marrëveshja, duke pretenduar se ende ka pengesa për eksportet e saj ushqimore.
Moska ka thënë se probleme po shkaktohen nga efektet dytësore të sanksioneve që Perëndimi ka vendosur ndaj kompanive që bëjnë dërgesat dhe që i sigurojnë apo, edhe ndaj bankave.
Gjatë bisedimeve të fundit të mbajtura në Stamboll, ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar tha se “ne jemi duke shkuar drejt një pajtimi për zgjatjen e marrëveshjes së drithërave”.
Rusia ka paraqitur një listë me kushte që duhet të përmbushen, në mënyrë që Moska të pajtohet për zgjatjen e marrëveshjes. Ndër kushtet e paraqitura është që Banka Bujqësore ruse, Rosselkhozbank, të lidhet sërish me sistemin e pagesave Swift.
Furnizimet me makinerinë bujqësore, pjesët rezervë dhe riparimin e tyre po ashtu kërkohet që të rinisen. Moska po ashtu kërkon që të rinisë eksportet e amoniakut për plehrat artificiale, përmes një tubacioni të madh që kalon përmes Ukrainës. /rel