RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kremlini paralajmëron për “ndryshime rrënjësore” pas referendumit në Donbas

kremlini-paralajmeron-per-“ndryshime-rrenjesore”-pas-referendumit-ne-donbas

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se situata në Donbas do të ndryshojë rrënjësisht nga pikëpamja ligjore, duke përfshirë fushën e sigurisë, pas referendumit për t’iu bashkuar Rusisë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Situata do të ndryshojë rrënjësisht nga pikëpamja ligjore dhe nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Me të gjitha pasojat përkatëse për qëllimet e mbrojtjes dhe sigurisë së këtyre territoreve”, tha ai para gazetarëve në një konferencë shtypi në Moskë.

Peskov konfirmoi se presidenti rus Vladimir Putin i ka përcjellë homologut të tij turk Recep Tayyip Erdoğan gatishmërinë e Rusisë për t’u ulur në tryezën e bisedimeve me Ukrainën.

“Rusia konfirmon gatishmërinë e saj për të negociuar, por me ndryshimin e situatës, ndryshojnë edhe kushtet”, tha ai.

I pyetur se sa njerëz u larguan nga Rusia pas thirrjes së Putinit për mobilizim të pjesshëm, Peskov tha se nuk ka informacion.

Në lidhje me rrjedhjen e gazit në tubacionet “Rrjedha Veriore”, Peskov nuk përjashtoi sabotimin si shkak të aksidentit.

“Siç duket, ka një lloj dëmtimi të tubit dhe çka e ka shkaktuar atë, është e pamundur të përjashtohet ndonjë opsion përpara se të dalin rezultatet e hetimit”, tha ai.

Peskov shprehu “shqetësim të thellë për situatën” dhe u kërkoi autoriteteve përkatëse të zbulojnë arsyet sa më shpejt të jetë e mundur.

“Kjo është një çështje që prek sigurinë energjetike të një kontinenti të tërë”, tha ai.

Autoritetet daneze raportuan për një rrjedhje gazi të hënën nga gazsjellësi jofunksional “Rrjedha Veriore 2” afër ishullit Bornholm në Detin Baltik.

Autoriteti Detar Danez ka ndaluar të gjitha lëvizjet e anijeve brenda 5 miljeve detare (9,25 kilometra) nga vendi i rrjedhjes, duke sqaruar se incidenti është “i rrezikshëm për lundrimin e anijeve”.

Nga ana tjetër, autoritetet gjermane konfirmuan në një deklaratë se rrjedhja mund të ishte shkaktuar nga rënia e papritur e presionit gjatë natës në tubacionin nënujor, por se hetimet janë duke vazhduar. /aa

Related posts

Qeveria s`lejon zgjedhjet serbe në Kosovë, OSBE-ja përkrah format e mëparshme të procesit

rezart morina

A po kushtëzohet anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës me themelimin e Asociacionit?

rezart morina

Erdoğan: NATO për herë të parë regjistroi grupet PKK/PYD/YPG dhe FETO si terroriste

admin