Krerët e agjencive të inteligjencës amerikane dhe asaj britanike kanë bërë të ditur të shtunën se “po punojnë pandërprerë” për një armëpushim në Gaza, teksa kanë përdorur një deklaratë të rrallë të përbashkët publike për të bërë presion për paqen.
Drejtori i CIA-s, William Burns dhe shefi i MI6, Richard Moore, thanë se agjencitë e tyre kishin shfrytëzuar kanalet e tyre të inteligjencës për të kërkuar përmbajtje dhe de-përshkallëzim, raporton AP.
Në një artikull të publikuar në “Financial Times”, dy krye-spiunët thanë se një armëpushim në luftën Izrael-Hamas “mund t’i jepte fund vuajtjes dhe humbjes së tmerrshme të jetës së civilëve palestinezë dhe t’i kthente pengjet në shtëpi pas 11 muajsh izolimi dhe ferri”.
Burns ka qenë shumë i përfshirë në përpjekjet për të ndërmjetësuar përfundimin e luftimeve, duke udhëtuar në Egjipt në gusht për bisedime të nivelit të lartë që synojnë arritjen e një marrëveshjeje pengjesh dhe të paktën një ndalim të përkohshëm të konfliktit.
Deri më tani nuk ka pasur asnjë marrëveshje, megjithëse zyrtarët e Shteteve të Bashkuara këmbëngulin se një marrëveshje është afër.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka thënë së fundmi se “vetëm disa çështje të tjera” mbeten të pazgjidhura.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, megjithatë, ka thënë se raportet për një përparim janë “të pasakta”.
SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar janë të dyja shtete aleate të Izraelit, megjithëse Londra zyrtare vendosi të hënën që të pezullonte disa eksporte të armëve në Izrael për shkak të rrezikut që ato mund të përdoren për të thyer të drejtën ndërkombëtare.
Burns dhe Moore theksuan gjithashtu fuqinë e marrëdhënieve transatlantike përballë “një sërë kërcënimesh të paprecedentë”, duke përfshirë një Rusi të sigurt, një Kinë gjithnjë e më të fuqishme dhe kërcënimin e vazhdueshëm nga terrorizmi ndërkombëtar, të gjitha të ndërlikuara nga ndryshimi i shpejtë teknologjik.
Artikulli është opinioni i parë i përbashkët i drejtuesve të dy agjencive të spiunazhit. Të dy drejtorët vunë në dukje një epokë të re në fushën e tyre të fshehtë, duke vënë në dukje se CIA dhe MI6 të dyja deklasifikuan inteligjencën rreth planit të Rusisë për të pushtuar Ukrainën përpara se Moska të sulmonte fqinjin e saj në shkurt të vitit 2022.