Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kanë vendosur lule dhe kanë bërë homazhe tek pllaka që përkujton ushtarët e Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) të rënë në Kosovë, raporton Anadolu.
Presidentja Osmani në sheshin “Nëna Terezë” të Prishtinës, tha se sot po shënohet një nga ditët më të rëndësishme të historisë së Republikës së Kosovës, ditën kur Kosova u çlirua pas një lufte e cila rezultoi me një gjenocid ndaj një populli të pafajshëm.
“Tani, këtu nderojmë ushtarët e NATO-s, ata të cilët që nga 10 qershori e tutje hynë në Republikën e Kosovës për të t’ia dhënë vulën çlirimit të vendit tonë. Jemi mirënjohës përherë dhe e përsërisim këtë mirënjohje në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksoi Osmani.
Kryeministri Albin Kurti, tha sot përkujtohet dhe festohet 24 vjetori i çlirimit të Kosovës dhe vendosjes së paqes në Kosovë.
Kurti tha se ndërhyrja ushtarake e NATO-s, e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullatën kosovare.
“Duke vendosur lule të freskëta dhe bërë homazhe kujtuam humanizmin e Rugovës, qëndresën e Demaçit, sakrificën e Jasharëve dhe këtu kontributin e NATO-s. Përulemi para gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe të gjithë atyre të cilët dhanë jetën për lirinë e popullit dhe çlirimin e Kosovës”, tha ai.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se çlirimi i Kosovës është shembulli më i spikatur i bashkëveprimit të suksesshëm në mes të faktorit vendor dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Konjufca tha se çlirimi nuk do të mund të arrihej pa ndihmën e shteteve të cilat e ndihmuan Kosovën.
“Për ne ishte dita e ardhjes së lirisë, një datë shumë e çmuar për popullin e Kosovës. Por, ishte po ashtu edhe sukses i madh në planin ndërkombëtarë, sepse dita e çlirimit të Kosovës koincidoi pikërisht edhe me ndaljen e gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës”, thekoi Konjufca.
Rreth 160 ushtarë të vendeve anëtare dhe jo anëtare të NATO-s kanë vdekur në Kosovë që nga paslufta, kryesisht në aksidente.
Në vitin 1999, pas përfundimit të luftës, në Kosovë ishin mbi 50 mijë trupa paqeruajtëse të NATO-s, ndërsa aktualisht janë rreth 4 mijë e 500.