RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Krerët e shtetit: Serbia të pranojë krimet dhe të tregojë vendndodhjen e të pagjeturve

kreret-e-shtetit:-serbia-te-pranoje-krimet-dhe-te-tregoje-vendndodhjen-e-te-pagjeturve

Krerët e institucioneve në Kosovë kërkojnë që Serbia të përgjigjet për krimet e kryera në Kosovë dhe të tregojë vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë duke i hapur arkivat në Beograd. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare për të Zhdukurit duke bërë homazhe pranë obeliskut për personat e pagjetur ku edhe kanë theksuar nevojën që ndërkombëtarët të bëjnë trysni mbi Beogradin.

Presidentja Osmani ka thënë se Kosova po bashkëpunon me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian rreth çështjes së të pagjeturve por ka theksuar se Serbia nuk po e pranon propozimin e Kosovës.

“Besoj jemi në rrugë të duhur sepse Republika e Kosovës ka treguar jo vetëm konstruktivitet por edhe ka dhënë propozime konkrete të cilat kontribuojnë në këtë drejtim por kontribuojnë edhe për paqe dhe stabilitet afatgjatë. Në këtë drejtim kemi bashkëpunuar shumë afër me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, për fat të keq Serbia akoma nuk e ka pranuar këtë propozim por shpresojmë që me trysni ndërkombëtare që përfundimisht të arrihet kjo marrëveshja e cila do ta shtrinte rrugën drejt zbardhjes së fatit të të zhdukurve me dhunë”, ka thënë Osmani.

Osmani ka bërë thirrje që bashkë me komunitetin ndërkombëtar të rrisin angazhimin në mënyrë që Serbia të përgjigjet për krimet e kryera.

Ajo ka thënë se Serbia ka kryer krim të dyfishtë, duke vrarë dhe fshehur pastaj krimet në luftën e fundit në Kosovë.

“Edhe sot bëjmë thirrje që së bashku me komunitetin ndërkombëtar të rrisim angazhimin në mënyrë që Serbia përfundimisht të përgjigjet për krimet e kryera por edhe të tregojë vendndodhjen e qytetarëve tanë, më të dashurve tanë, për të cilët akoma nuk e dimë ku janë. Siç e dini në dialogun me Serbinë është prioritizuar çështja e të zhdukurve më dhunë dhe institucionet e Kosovës janë duke bërë të pamundurën në mënyrë që nëpërmjet këtij procesi përfundimisht Serbia t’i jep të gjitha të dhënat që do të na çonin deri tek zbardhja e fatit të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë”, ka thënë presidentja e vendit.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Beogradi zyrtar duhet të hap arkivat.

“Si institucione kemi përgjegjësi të bëjmë gjithçka që mundemi dhe dimë që sa më parë të zbardhet fati i atyre 1617 të pagjeturve dhe njëkohësisht që më faktorët ndërkombëtarë të bëjmë trysni që në Beograd të hapen arkivat dhe asisoj të merret vesh e vërteta për më të dashurit tanë. Përveç që duhet të hapën arkivat, në të njëjtën kohë edhe prokurorial tek ne duhet të jetë shumë më aktive, gjyqësori shumë më efikas sepse deri tek e vërteta arrihet edhe nëpërmjet drejtësisë, nëpërmjet kërkimit të përgjegjësisë prej atyre të cilët i vranë, i varrosen, i zhvarrosen, i dërguan në Serbi, i varrosen atje, dhe më pas u zhvarrosën nga ato pesë varreza masive që mbase ka më shumë se aq”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se në mesin e 1617 të zhdukurve me dhunë ka edhe jo shqiptarë duke shtuar se institucionet angazhohen për zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturve pa dallim etnie.

“Në mesin e 1617 të zhdukurve me dhunë ka edhe që nuk janë shqiptarë, shumica dërrmuese janë shqiptarë, por ka edhe që nuk janë shqiptarë dhe ne angazhohemi për zbardhjen e fatit të të gjithëve pa dallim etnie. I ftoj qytetarët të cilët dinë, kanë informacion, që atë ta bëjnë publik, përveç hapja e arkivave në Beograd edhe qytetarët në Serbi duhet të ndihmojnë dhe të flasin çka dinë, por jo vetëm në Serbi, është e nevojshme që të gjithë qytetarët të flasin për informacionet që mund t’i kenë. Ne e dënojmë për çdo ditë me veprimtarinë tonë institucionale, me qëndrimet e tona shtetërore, gjenocidin e Serbisë në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Me disa aktivitete, edhe në Kosovë po shënohet Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve derisa mungojnë edhe mbi 1600 persona të zhdukur me dhunë nga në luftën e fundit në Kosovë.

Related posts

Komandanti i Aleatëve të NATO në Evropë: Do të dërgojmë pajisje më të rënda dhe më shumë trupa në Kosovë

admin

Përfaqësuesja e lartë e OKB-së thirrje vendeve anëtare për sigurimin e paqes në Ukrainë

admin

Ministri Sveçla akuzohet se ka hedhur tymuese në parlament, i parashkruhet vepra penale

admin