RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kreu i Këshillit Sovran të Tranzicionit në Sudan premton fitore ndaj forcave paraushtarake RSF

kreu-i-keshillit-sovran-te-tranzicionit-ne-sudan-premton-fitore-ndaj-forcave-paraushtarake-rsf

Kryetari i Këshillit Sovran të Tranzicionit të Sudanit, Abdel Fattah al-Burhan u zotua për fitore në luftën kundër Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), duke theksuar se dera për pajtim kombëtar mbetet e hapur, transmeton Anadolu.

“I sigurojmë popullit tonë kudo që fitorja po vjen dhe se fitorja do t’i përkasë popullit sudanez”, tha Burhan në një fjalim me rastin e 70-vjetorit të pavarësisë së Sudanit, cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve SUNA.

“Po ashtu konfirmojmë se dera për pajtim kombëtar mbetet e hapur”, shtoi ai.

Burhan tha se lufta ka bashkuar popullin sudanez dhe ka forcuar vendosmërinë kombëtare, duke i siguruar banorët e rajoneve Darfur dhe Kordofan se fitorja po afrohet.

Ai lavdëroi forcat politike që qëndrojnë përkrah ushtrisë, duke theksuar se dera e pajtimit kombëtar mbetet e hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të bashkohen.

Sudani është përfshirë nga një konflikt i ashpër mes ushtrisë dhe RSF-së që nga prilli i vitit 2023, konflikt që ka shkaktuar vdekjen e mijëra personave dhe zhvendosjen e miliona të tjerëve.

Tri shtetet e Kordofanit, Kordofani Verior, Perëndimor dhe Jugor, kanë përjetuar javë të tëra përleshjesh të ashpra mes ushtrisë dhe RSF-së, duke detyruar dhjetëra mijëra persona të largohen.

Nga 18 shtetet e Sudanit, RSF-ja kontrollon të gjitha pesë shtetet e rajonit Darfur në perëndim, përveç disa pjesëve veriore të Darfurit Verior që mbeten nën kontrollin e ushtrisë. Nga ana tjetër, ushtria mban shumicën e zonave në 13 shtetet e mbetura në jug, veri, lindje dhe qendër, përfshirë edhe kryeqytetin Khartum.

Related posts

Rritet çmimi i naftës me shpresën e rritjes së kërkesës pas heqjes nga Kina të kufizimeve

admin

Vazhdojnë luftimet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, dështon përpjekja për armëpushim

admin

Një tërmet me magnitudë 7.3 godet Indonezinë, duke shkaktuar paralajmërim për cunami

Muhamet Ramadani