Gjykata Themelore e Ferizajt e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.
Më 23 gusht 2022 ishte konfirmuar se Krivaqa dhe Sejdiu, të cilët ngarkohen për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani në gusht të vitit 2021, kanë kërkuar hedhjen e aktakuzës.
Gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi më 2 shtator 2022, mori aktvendim në bazë të së cilit i ka refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave, të parashtruara nga mbrojtja e të akuzuarve, kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, nga zyra për informim e kësaj gjykate.
Janë bërë më shumë se një vit që nga vrasja e Marigona Osmanit nga Ferizaj, për të cilin rast deri më tash është mbajtur vetëm seanca fillestare ndaj dy të akuzuarve. 18-vjeçarja ishte lënë në ambientet e Spitalit të Ferizajt pa shenja jete, derisa të dyshuarit, Dardan Krivaqa e Arber Sejdiu kishin ikur. Sejdiu ishte arrestuar i pari nga Policia e Kosovës, derisa disa ditë më vonë autoritet arritën ta vënë nën pranga edhe të dashurin e Marigonës, Dardan Krivaqa.
Në seancën fillestare asnjëri nuk kishte pranuar fajësinë.
Vrasja e Osmanit kishte nxitur reagimin e të gjithë krerëve institucionalë, teksa ishte bërë e ditur se dy të dyshuarit ishin kryerës të veprave të shumta penale, porse ishin në liri. Me gjithë presionin publik e me protesta edhe nga organizatat e shoqërisë civile, asnjëherë asnjë zyrtar publik nuk është vënë para përgjegjësisë për këtë rast.
Në 24 faqe është përshkruar dhuna në aktakuzën të cilën e posedon edhe KOHA, të cilën Prokuroria thotë se dy të pandehurit e ushtruan ndaj Osmanit më 21 gusht të vitit të kaluar në Ferizaj. Prokuroria i akuzon ata për vrasje mizore të 18-vjeçares. Sipas aktakuzës, të pandehurit e kanë dhunuar seksualisht, deri sa viktima ka humbur vetëdijen.