KRU “Prishtina” ka njoftuar se bazuar në analizat e realizuara, uji nga Badoci është i pijshëm dhe i përshtatshëm për konsum njerëzor.
Sipas kompanisë, analizat fiziko-kimike dhe bakteriologjike kryhen rregullisht nga laboratori i akredituar i KRU “Prishtina”, me qëllim monitorimin e cilësisë së ujit.
KRU “Prishtina” ka bërë të ditur se analizat e ujit të patrajtuar dhe atij të trajtuar, të datës 21 shtator 2026, kanë rezultuar brenda standardeve për ujë të pijshëm.
Kompania ka theksuar se mbetet e përkushtuar për ofrimin e ujit të sigurt dhe cilësor për konsumatorët.
“Ju njoftojmë se, para së gjithash, për ne është thelbësore që, përveç sigurimit të furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm, uji t’u ofrohet konsumatorëve me cilësi të lartë dhe i përshtatshëm për konsum njerëzor, në përputhje me të gjitha standardet e përcaktuara ndërkombëtare. Bazuar në analizat e realizuara, uji nga Badoci është i pijshëm dhe i përshtatshëm për konsum njerëzor( si në ujin e trajtuar po ashtu edhe në ujin e patrajtuar në liqe). Analizat fiziko-kimike dhe bakteriologjike të ujit realizohen në mënyrë të rregullt nga laboratori i akredituar i KRU “Prishtina”, me qëllim të monitorimit të vazhdueshëm të cilësisë së ujit dhe garantimit të sigurisë për konsumatorët. Analizat fiziko-kimike te ujit patrajtuar (Aeratorit) dhe ujit të trajtuar të datës 21.09.2026 janë brenda standardit për ujë të pijshëm. KRU “Prishtina” mbetet e përkushtuar që qytetarëve t’u ofrojë ujë të pijshëm të sigurt dhe cilësor, duke respektuar standardet përkatëse. Faleminderit për mirëkuptimin dhe besimin tuaj”, njofton KRU Prishtina.

