RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kryeministri i Japonisë viziton Ukrainën, ofron mbështetje – VIDEO

kryeministri-i-japonise-viziton-ukrainen,-ofron-mbeshtetje-–-video

Kryeministri japonez Fumio Kishida zhvilloi një vizitë surprizë të martën në Kiev, duke u angazhuar në një duel diplomatik me presidentin kinez Xi Jinping , i cili u takua në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin lidhur me propozimin e paqes të Pekinit për Ukrainën, të cilin vendet perëndimore e kanë hedhur poshtë.

Dy vizitat, rreth 800 kilometra larg njëra-tjetrës, nxjerrin në pah se si vendet po rreshtohen pas Moskës ose Kievit gjatë luftës gati 13-mujore.

Kryeministri Kishida, i cili do të kryesojë takimin e G-7 në maj, është anëtari i fundit i grupit që vizitoi Ukrainën dhe u takua me Presidentin Volodymyr Zelenskyy, pasi bëri homazhe për të vrarët në Bucha, një qytet simbol i mizorive ruse kundër popullsisë civile.

Presidentët Xi dhe Putin nuk njoftuan përparime të mëdha drejt zbatimit të marrëveshjes kineze për paqen, megjithëse udhëheqësi rus tha se mund të shërbejë si bazë për t’i dhënë fund luftimeve kur Perëndimi të jetë gati. Ai shtoi se aleatët perëndimorë të Kievit nuk kanë treguar interes.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se çdo plan paqeje që vjen nga takimi Putin-Xi do të ishte i papranueshëm, sepse një armëpushim vetëm do të zyrtarizonte territoret e pushtuara nga Moska dhe do t’i jepte Rusisë kohë për të planifikuar një ofensivë të re.

“Duket sikur Perëndimi me të vërtetë synon të luftojë Rusinë deri në ukrainasin e fundit”, tha Putini, duke shtuar se kërcënimi i fundit është një plan britanik për t’i dhënë Ukrainës predha tankesh që përmbajnë uranium të varfëruar.

“Nëse ndodh kjo, Rusia do të përgjigjet në përputhje me rrethanat, duke patur parasysh se Perëndimi po fillon të përdor armë me një komponent bërthamor”, tha ai, pa dhënë detaje.

Udhëheqësi rus ka paralajmëruar herë pas here se Rusia do të përdor të gjitha mjetet e disponueshme, duke përfshirë ndoshta armët bërthamore, për të mbrojtur veten, por gjithashtu në disa raste është tërhequr nga kërcënime të tilla.

Komenti i Presidentit Putin iu referua vërejtjeve të hënën nga zyrtarja e lartë e mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Annabel Goldie, e cila ishte shprehur se: “Përveç dhënies Ukrainës të një skuadre të tankeve Challenger 2, ne do të ofrojmë municione, përfshirë predha kundër blindave me përmbajtje uraniumi të varfëruar. Predha të tilla janë shumë efektive në shkatërrimin e tankeve dhe mjeteve të blinduara moderne”.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, tha se plani tregon se britanikët “kanë humbur orientimin”, ndërsa Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se “shënon një tjetër hap dhe se nuk kanë mbetur shumë të tjerë”. Por eksperti i armëve, Hamish de Bretton-Gordon, ish-komandant i Regjimentit Mbretëror Britanik të Tankeve, tha se “Presidenti Putin ishte treguar i pamatur në përpjekjet për të sugjeruar se Britania po i dërgon Ukrainës materiale bërthamore”. Ai tha se uraniumi i varfëruar është një komponent i zakonshëm në predhat e tankeve, që ndoshta përdoret edhe nga Rusia.

Pas takimit me Kryeministrin Kishida, Presidenti Zelenskyy u tha gazetarëve se ekipi i tij i kishte dërguar Kinës formulën e tij të paqes, por nuk kishte marrë përgjigje, duke shtuar se kishte “disa sinjale, por asgjë konkrete për mundësinë e një dialogu”.

Kryeministri Kishida e quajti agresionin e Rusisë një “turp që minon themelet e rendit juridik ndërkombëtar” dhe u zotua “të vazhdojë të mbështesë Ukrainën derisa paqja të kthehet në tokat e bukura të Ukrainës”. /voa

Related posts

Sot varroset polici Afrim Bunjaku që u vra gjatë sulmit terrorist

rezart morina

Mbi 13,000 të vdekur në Gaza

rezart morina

Kurti pret në takim Escobarin dhe Lajçakun

admin