RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Shtatë persona humbën jetën në vendin e punës gjatë këtij viti në Kosovë

shtate-persona-humben-jeten-ne-vendin-e-punes-gjate-ketij-viti-ne-kosove

Siguria në punë vazhdon të jetë problem për punëtorët kosovarë.

Si rezultat i saj, këtë vit, deri tani, 7 persona kanë humbur jetën në vendin e punës e 173 kanë pësuar aksidente, tregon për Radio Kosovën, kryeinspektori i punës, Hekuran Nikçi. Ai thotë se gjatë këtij viti kanë realizuar mbi 3 mijë e 100 inspektime, e për shkeljet gjetura kanë shqiptuar 175 masa ndëshkimore ndaj punëdhënësve.

Si pasojë e kushteve jo të mira dhe sigurisë së pamjaftueshme në punë, vazhdojnë të pësojnë një numër i konsiderueshëm i punëtorëve, me vdekje apo lëndime në vendin e punës.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, tregon për Radio Kosovën se numri i rasteve të vdekjeve dhe të lënduarave në vendin e punës ka shënuar rritje, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 173 aksidente në vendin e punës nga të cilat 7 janë me fatalitet. Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi evidentuar 104 raste të aksidentit në vendet e punës prej tyre 4 me fatalitet, që do të thotë se gjatë kësaj periudhe kemi një rritje të rasteve me fatalitet për tre”, tha ai.

Në rastet e aksidenteve në vendpune, kur inspektorët kanë konstatuar se është shkelur ligji nga ana e punëdhënësve, ndaj tyre janë shqiptuar masa ndëshkimore – gjoba me para. Sipas ligjit, këto mund të jenë deri në 40 mijë euro, thotë tutje Nikçi, i cili tregon për numrin e kontrolleve që ka bërë Inspektorati i Punës gjatë këtij viti.

“Gjatë kësaj periudhe kohore Inspektorati i Punës ka realizuar 3 mijë e 178 Inspektime. Gjatë inspektimeve është konstatuar se numri më i madh i shkeljeve të të drejtave të të punësuarve është në sektorin e ndërtimit që kanë të bëjnë me kushtet e punës, pastaj prodhimtaria dhe gastronomia ku është konstatuar se ka punëtorë pa kontrata apo që nuk janë të deklaruar në ATK”, tha ai.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi tregoi tutje se pas kontrolleve të bëra, deri tani ndaj punëdhënësve të cilët kanë cenuar legjislacionin që mbikëqyr Inspektorati i Punës kanë shqiptuar 175 masa ndëshkimore, të cilat thotë se dallojnë varësisht nga shkeljet ligjore që janë konstatuar nga inspektorët në teren.

Related posts

Institucionet shtetërore në SHBA përballen me sulme kibernetike

admin

Lajçak: Drafti i parë për Asociacionin, pikënisje për diskutimet e ardhshme

admin

Çekët votojnë për presidentin e ri

admin