Kryeministri i Irlandës, Micheal Martin, ka dënuar Izraelin për sekuestrimin e anijeve të flotiljes humanitare që ishin nisur drejt Gazës në ujërat ndërkombëtare, duke e quajtur veprimin “të papranueshëm” dhe duke bërë thirrje për respektim të ligjit ndërkombëtar, transmeton Anadolu.
Duke folur për gazetarët në Dublin, Martin kritikoi sekuestrimin nga Izraeli të anijeve që merrnin pjesë në Flotiljen Globale Sumud, duke theksuar se Izraeli duhet të respektojë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe sundimit e ligjit.
“Është e papranueshme që Izraeli të mos përmbushë detyrimet e tij sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare”, tha ai.
Martin tha se Irlanda do ta ngrejë çështjen në nivel të BE-së, duke shtuar se Dublini tashmë ka vënë në pikëpyetje marrëveshjen e asociimit BE-Izrael në dritën e zhvillimeve në Gaza dhe ngjarjeve të fundit në Liban.
Më herët, edhe ministrja e jashtme irlandeze, Helen McEntee, dënoi sekuestrimin e anijeve në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve të Greqisë dhe bëri thirrje autoriteteve izraelite që “të lirojnë menjëherë të gjithë qytetarët irlandezë të ndaluar gjatë këtij operacioni” dhe të “përmbushin detyrimet e tyre sipas së drejtës ndërkombëtare”.
Flotilja humanitare Global Sumud u sulmua të enjten pranë ishullit grek të Kretës, rreth 600 milje detare larg destinacionit të saj, enklavës së Gazës të shkatërruar nga bllokada.
Anijet e para të flotiljes, që transportonin ndihma humanitare, u nisën nga Barcelona më 12 prill, ndërsa flota kryesore u largua nga ishulli italian i Sicilisë më 26 prill, me synimin për të sfiduar bllokadën shumëvjeçare të Izraelit ndaj Gazës.
Izraeli ka vendosur një bllokadë ndaj Rripit të Gazës që nga viti 2007, duke i lënë 2.4 milionë banorët e tij të përballen me mungesa të rënda ushqimi dhe furnizimesh thelbësore.
Ushtria izraelite nisi një ofensivë ndaj Gazës në tetor të vitit 2023, duke vrarë më shumë se 72.000 njerëz, duke plagosur mbi 172.000 të tjerë dhe duke shkaktuar shkatërrime të gjera në të gjithë enklavën.

