RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Erdoğan: Deklaratat e Borrellit për Turqinë, të shëmtuara

erdogan:-deklaratat-e-borrellit-per-turqine,-te-shemtuara

Erdoğan tha se Borrelli nuk mund të caktojë ose rregullojë marrëdhëniet e Turqisë me shtetet e tjera dhe se ai nuk ka as cilësinë dhe as kapacitetin për të bërë vendime të tilla.

Turqia ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me Sirinë dhe Rusinë në përpjekjet antiterroriste, njoftoi presidenti Recep Tayyip Erdoğan gjatë bisedës me gazetarë në avionin presidencial, në kthim nga Turkmenistani.

“Aktualisht, dëshirojmë të ndërmarrim hap me Sirinë dhe Rusinë, si trio. Për ta bërë këtë, duhet të takohen fillimisht shërbimet tona sekrete, pastaj ministrat e mbrojtjes dhe në fund ministrat e jashtëm, tha presidenti Erdoğan.

Ai paralajmëroi edhe një takim të liderëve të Turqisë, Rusisë dhe Sirisë pasi të përfundojnë takimet në nivel të ministrave dhe shërbimeve sekrete. Erdoğan tha se homologu i tij rus Vladimir Putin e ka mirëpritur këtë propozim gjatë bisedës së fundit telefonike.

Presidenti turk theksoi se organizata terroriste PKK/YPG është aktive në Siri, sidomos në pjesët e saj veriore. Prandaj, siç tha ai, vendi i tij do t’i marrë punët në duart e veta nëse shtetet si ShBA-ja vazhdojnë të dërgojnë mijëra kamionë me armë, municion dhe mjete terroristëve në Siri.

Marrëdhëniet Turqi-Rusi

Presidenti turk kritikoi edhe deklaratat e fundit të shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell që targetonte Turqinë për lidhjet e saj me Rusinë dhe i bënte thirrje që t’u bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Moskës.

“Nuk e shoh Borrellin si interlokutorin tim. Ai mund të jetë vetëm interlokutor i (ministrit të jashtëm) Mevlüt Çavuşoğlu”, tha Erdoğan.

Ndërsa deklaratat e Borrellit i përshkruajti si “të shëmtuara”.

“Me fjalë të tjera, Borrell nuk mund të caktojë ose rregullojë marrëdhëniet tona me Rusinë. Ai nuk ka as cilësinë dhe as kapacitetin për të bërë vendime të tilla lidhur me këto çështje. Ishte koment i shëmtuar”, u shpreh presidenti Erdoğan.

I pyetur lidhur me masat e Gjermanisë kundër planit për grushtshtet nga ekstremistët e djathtë, Erdoğan mirëpriti masat dhe tha se është e rëndësishme zbardhja e procesit brenda sundimit të ligjit.

“Populli im dhe vendi im e kupton më së miri ndjenjën në Gjermani kundër grushtshtetit. Fatkeqësisht, nuk mund të them se e kemi pasur mirëkuptimin dhe solidarizimin e njejtë nga miku dhe aleati ynë, Gjermania”, tha Erdoğan.

Related posts

Katari dhe Arabia Saudite bëjnë thirrje për t’i dhënë fund ‘katastrofës humanitare’ në Gaza

admin

23-vjeçarja që u lëndua nga rënia e kulmit në Prishtinë vazhdon të jetë me aparaturë të frymëmarrjes

rezart morina

Sot seancë solemne në Kuvend – Shënohet 26 vjetori i Epopesë së UÇK-së

admin6