RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kryeministri Kovaçevski takon senatorin amerikan, Chris Murphy

kryeministri-kovacevski-takon-senatorin-amerikan,-chris-murphy

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka pritur në një takim senatorin amerikan, Chris Murphy, i cili po viziton vendin në kuadër të një turi rajonal, raporton Anadolu.

Pas takimit në ndërtesën e qeverisë së Maqedonisë së Veriut në Shkup, Kovaçevski dhe Murphy mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Kryeministri Kovaçevski tha se takimet e tyre të shpeshta flasin për përkushtimin e fortë të senatorit Murphy për rajonin dhe mbështetjen e tij personale dhe të vazhdueshme për Maqedoninë e Veriut dhe zhvillimin e saj demokratik, stabilitetin dhe prosperitetin.

Ai tha se ka marrë një garanci nga senatori Murphy se SHBA-ja do të vazhdojnë të mbështesë Maqedoninë e Veriut në të gjitha aspiratat e saj, veçanërisht drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).

Kovaçevski theksoi se në takim është biseduar për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, veçanërisht në kushtet kur vendi është duke ndërmarrë hapat e ardhshëm në integrimet evropiane.

“Falë mbështetjes së miqve të sinqertë si SHBA, sot Maqedonia e Veriut, pas tre dekadave të pavarësisë së saj, është kthyer nga një përfituese e misioneve ndërkombëtare të paqes në një vend që është faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, vend anëtar i NATO-s, kryesues i OSBE-së, vend që ka filluar negociatat me BE-në, vend në të cilin janë depozituar marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të procesit të Berlinit dhe vend që është nikoqire e negociatave mes vendeve tjera”, tha Kovaçevski.

“SHBA dhe Maqedonia e Veriut dëshmojnë konceptin e partneritetit në veprim. Proceset e reformave që po zhvillohen në vendin tonë në 30 vitet e fundit kanë mbështetjen më të fortë nga miqtë tanë amerikanë, të cilët angazhohen fuqishëm në demokratizimin e shoqërisë sonë. Tri dekada mbështetje për një sistem të qeverisjes së mirë, luftë kundër korrupsionit dhe mbështetje të proceseve demokratike në vend, duke përfshirë forcimin dhe promovimin e zhvillimit ekonomik të vendit”, shtoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut.

Duke iu referuar partneritetit ekonomik, Kovaçevski tha se shkëmbimi tregtar me SHBA-në vitin e kaluar arriti në mbi një çerek miliardë dollarë, duke kujtuar se për momentin në vend janë 12 kompani të mëdha amerikane.

– Murphy: Do të ishte shqetësuese për një vend të NATO-s, t’ia kthejë shpinën BE-së

Senatori amerikan, nga ana tjetër, duke theksuar se SHBA-të dhe Maqedonia e Veriut kanë qenë partnerë sigurie për një kohë të gjatë, tha se aleanca tyre është e fortë “siç dëshmohet nga uniteti ynë për të kundërshtuar pushtimin brutal të Ukrainës nga Rusia, duke u siguruar që Rusia të paguajë një çmim për shkeljen e ligjit ndërkombëtar”.

Ai u ndal edhe në partneritetin e fuqishëm dhe në rritje ekonomike mes dy vendeve, duke shtuar se më shumë kompani amerikane bëjnë biznes në këtë vend se sa në të kaluarën.

Murphy theksoi se një ndër arsyet e vizitës së tij është për të siguruar që SHBA-ja po u dërgon një mesazh shumë të fortë partnerëve qeveritarë, anëtarëve të parlamentit dhe popullit të Maqedonisë së Veriut, se “mbështesim vendimin tuaj për t’iu bashkuar BE-së dhe ju nxisim që të ndërmerrni hapat e nevojshëm për ta bërë të mundur zgjerimin”.

“E di që ka qenë një rrugë e gjatë për në BE. E di që shumë palë bëjnë pyetje legjitime nëse BE-ja është një mundësi reale. Unë jam këtu për t’ju thënë se është. Shumë njerëz thanë të njëjtën gjë për NATO-n, ‘Maqedonia e Veriut nuk do të ketë kurrë ftesë nga NATO’. Por ju morët hapat e vështira të nevojshme për ta bërë të mundur atë ftesë. Ju nënshkruat një marrëveshje historike që lejoi që ajo ftesë të bëhet dhe sot Maqedonia e Veriut është anëtare e aleancës së NATO-s”, tha ai.

Sipas tij, ka një mundësi të re për zgjerimin e BE-së, pasi lufta në Ukrainë është një krizë, por kjo e ka zgjuar BE-në për të mbajtur dyert hapur, ndërsa tha se nuk ka asnjë mënyrë që Ukraina të hyjë në BE pa vendet e Ballkanit.

Murphy tha se ndryshimet kushtetuese janë një mundësi e qartë që Maqedonia e Veriut të anëtarësohet në BE, duke shtuar se me anëtarësimin në BE do të ketë rritje të shpejtë ekonomike, rritje të pagave dhe më shumë kompani amerikane do të vijnë në Maqedoninë e Veriut.

“Unë gjithashtu dua të jem i qartë për ndikimin në marrëdhëniet me SHBA-në nëse Maqedonia e Veriut do të merrte një rrugë tjetër, të vendos kundër këtij ndryshimi kushtetues dhe të thotë ‘ne jemi jashtë rrugës për në BE’. Do të ishte shqetësuese për një vend të NATO-s, një vend që ne jemi zotuar ta mbrojmë bazuar në vlerat tona të përbashkëta, t’ia kthejë shpinën BE-së”, shtoi ai.

Në takim gjithashtu morën pjesë zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Angela P. Aggeler, si dhe zyrtarë të tjerë.

Related posts

Spanja del kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian

admin

Me avion charter! Nis dëbimi i shqiptarëve të mbërritur me gomone në Angli

admin

Jo vetëm Mitaj, edhe Bajrami nën vëzhgim, klubi i Serie A synon fantazistin kuqezi

admin