Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas deklaroi se “Garancia e vetme e sigurisë që funksionon vërtet dhe garancia më e lirë e sigurisë që funksionon vërtet është anëtarësimi në NATO”, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë për gazetarët para Samitit të Liderëve të Bashkimit Evropian (BE), në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, Kallas tha se nuk duhet që fokusi të jetë në çështjet e brendshme të Rusisë.
“Në Ukrainë vazhdon lufta për liri dhe drejtësi. Është shumë e rëndësishme të vazhdojmë rrugën përmes mbështetjes ndërmjet rajoneve ose me krijimin e gjykatës ndërkombëtare. Kur të jetë e nevojshme të fokusohemi në rindërtimin e Ukrainës. Nuk është e drejtë që kjo të bëhet me paratë e taksapaguesve tanë, por duhet të bëhet me të ardhurat e Rusisë”, tha Kallas.
Ajo theksoi se Rusia është gjithmonë një vend i paparashikueshëm dhe i rrezikshëm. “Garancia e vetme e sigurisë që funksionon vërtet dhe garancia më e lirë e sigurisë që funksionon vërtet është anëtarësimi në NATO. Vendi im është një shembull i hapur i kësaj”, tha kryeministrja estoneze.
Kallas tha se në Samitin e NATO-s që do mbahet në korrik në Lituani, duhet të arrihet dakordim mbi një rrugë të qartë për anëtarësimin e Ukrainës dhe se kjo do të tregojë “dritën në fund të tunelit”.
Në pyetjen nëse do të jenë apo jo migracioni dhe refugjatët në mesin e çështjeve që do të diskutohen sot, Kallas tha: “Kemi arritur marrëveshje për këtë çështje. Nuk mendoj se do të ritakohemi. Sigurisht do të diskutojmë dhe do të dëgjojmë shqetësimet e shteteve të ndryshme anëtare, por mendoj që nuk do të jetë e hapur për opinionin publik”.
Lidhur me pozicionin e Bjellorusisë në luftën Rusi-Ukrainë, Kallas tha: “Ne e kemi parë Bjellorusinë si pala agresore me Rusinë. Bjellorusia dhe Rusia janë të rrezikshme së bashku dhe do të vazhdojnë të jenë të rrezikshme. Kjo situatë nuk ka ndryshuar. Këtë kështu duhet ta vlerësojmë”.