RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kryeministrja italiane: Rrjedhat e emigrantëve dëmtojnë të gjitha shtetet

kryeministrja-italiane:-rrjedhat-e-emigranteve-demtojne-te-gjitha-shtetet

Rrjedhat ilegale të emigrantëve po i dëmtojnë të gjitha shtetet përgjatë Mesdheut, ka deklaruar të dielën kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, teksa u ka bërë thirrje vendeve që të luftojnë së bashku kundër trafikantëve të qenieve njerëzore.

Në kontrast me retorikën e saj të ashpër të së kaluarës, Meloni ka thënë në një konferencë ndërkombëtare në Romë se qeveria e saj është e hapur për pranimin e më shumë njerëzve përmes rrugëve legale, sepse “Evropës dhe Italisë i duhet emigracioni”.

“Emigrimi masiv ilegal dëmton çdonjërin prej nesh. Askush nuk përfiton nga ai, përveç grupeve kriminale, që pasurohen në dëm të më të brishtëve, dhe të cilët përdorin fuqinë e tyre edhe kundër qeverive”, është shprehur ajo më 23 korrik, raporton Reuters.

Më herët, këtë muaj, Italia është zotuar se do të lëshojë 452.000 viza të reja pune për qytetarët e vendeve joanëtare të Bashkimit Evropian, nga viti 2023 deri më 2025, duke rritur numrin e lejeve çdo vit në rekord 165.000 më 2025. Më 2019, para se pandemia e COVID-19 ta godiste, Italia lëshoi vetëm 30.850 viza.

Në konferencë, e cila synon të ndërtojë një partneritet ndërmjet shteteve për një varg çështjesh, po marrin pjesë përfaqësues të shumë shteteve, përfshirë Tunizinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Qipron, Libinë, dhe të Bashkimit Evropian.

“Trafikuesit ndërkombëtarë të njerëzve nuk janë të mirëseardhur në vendin tonë”, ka thënë presidenti tunizian, Kais Saied, në konferencë.

Meloni, e cila drejton një qeveri të krahut të djathtë që nga tetori i vitit të kaluar, po angazhohet për të përfshirë vende të tjera në përpjekjet për të frenuar emigracionin masiv dhe për të luftuar trafikantët.

Arritjet e emigrantëve në Itali janë rritur më 2023, teksa mbi 83.000 njerëz kanë ardhur deri më tani këtë vit, krahasuar me rreth 34.000 gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2022.

Meloni ka thënë se fokusi kryesor i konferencës është mbështetja e zhvillimit në Afrikë, me “partneritete jograbitqare afatgjata… të bazuara në respekt reciprok”.

“Perëndimi ka dhën përshtypjen se është më i interesuar të japë mësime sesa të ndihmojë… dhe kjo e ka bërë më të vështirë arritjen e përparimit për çështje strategjike”, është shprehur ajo. /rel

Related posts

Shkon në 2900 numri i viktimave nga tërmeti në Marok, mbi 5500 të plagosur

rezart morina

Rusia pezullon lëshimin e pasaportave biometrike

admin

Tajvani goditet nga dhjetëra tërmete, më i fuqishmi me magnitudë 6.3

RTI