RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale në Hagë jep dorëheqje, emërohet këshilltar special për hetimet mbi ish-presidentin Trump

kryeprokurori-i-prokurorise-speciale-ne-hage-jep-doreheqje,-emerohet-keshilltar-special-per-hetimet-mbi-ish-presidentin-trump

Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë të ditur se prokurori i specializuar, Jack Smith ka dhënë dorëheqje.

“Prokurori i posaçëm Smith ka dhënë dorëheqjen si kryeprokuror i Gjykatës Speciale në Hagë, e ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë”, thuhët në komunikatë.

Pas dorëheqjes së tij, Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland emëroi të premten prokurorin Jack Smith si këshilltar të posaçëm për të mbikëqyrur hetimin e Departamentit të Drejtësisë për praninë e dokumenteve sekrete në pronën e ish-presidentit Donald Trump në Florida, njofton Zëri i Amerikës.

Ai do të merret gjithashtu edhe me hetimin e veçantë që përfshin sulmin e 6 janarit 2021 mbi Kapitolin dhe përpjekjet për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Ky vendim u publikua vetëm tre ditë pasi zoti Trump shpalli zyrtarisht kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale që do mbahen më 2024.

Megjithëse emërimi vendos një mbikëqyrës të ri në krye të hetimeve, të dyja rastet pritet të përshpejtohen tani që zgjedhjet e mesmandatit kanë përfunduar. Këshilltari i posaçëm do t’i raportojë prokurorit të përgjithshëm Garland, i cili ka fjalën përfundimtare nëse do të ngrejë akuza.

Jack Smith, është prokuror veteran që drejtoi seksionin e integritetit publik të Departamentit të Drejtësisë në Uashington dhe më vonë shërbeu si kryeprokuror federal në Nashville, Tenesi, gjatë administratës së presidentit Barack Obama.

Së fundmi, ai ka qenë kryeprokuror i Prokurorisë Speciale në Hagë që heton krimet që dyshohet se u kryen nga ish Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë dhe pas luftës.

Departamenti i Drejtësisë njoftoi se zoti Smith nuk është i regjistruar si votues demokrat apo republikan, në përpjekje për të zbutur çdo sulm ndaj tij me baza politike.

Përfaqësuesit e zotit Trump, nuk kanë pranuar ende të bëjnë koment për këtë çështje.

Ajo që ka nxitur debat në SHBA është koha dhe arsyeja pse u bë ky emërim.

“Emërimi i një avokati të posaçëm në këtë kohë është gjëja e duhur për t’u bërë”, tha prokurori i përgjithshëm amerikan, Merrick Garland në një konferencë shtypi në Uashington.

Ky do të ishte këshilltari i tretë i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë që emërohet që nga viti 2017 për të trajtuar çështje të ndjeshme politikisht.

Prokurorë të tillë zakonisht kanë një shkallë të lartë pavarësie për të shmangur konfliktet e mundshme të interesit.

Ish-drejtori i FBI-së Robert Mueller u emërua në vitin 2017 për të mbikëqyrur hetimin federal mbi fushatën presidenciale të zotit Trump për zgjedhjet e vitit 2016 dhe kontaktet e tij me Rusinë. Në vitin 2019, John Durham u emërua për të hetuar origjinën e hetimit të FBI-së në fushatën të zotit Trump kur u zgjodh president.

Related posts

Borrell këtë javë në Tiranë dhe Shkup

admin

Vuçiq thotë se pati një bisedë korrekte me komandantin e KFOR-it

rezart morina

Pendarovski fillon vizitën zyrtare në Çeki

admin