RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kryetari i Kuvendit të Mbretërisë së Arabisë Saudite në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut

kryetari-i-kuvendit-te-mbreterise-se-arabise-saudite-ne-vizite-zyrtare-ne-maqedonine-e-veriut

Kryetari i Kuvendit të Mbretërisë së Arabisë Saudite (Mexhlisi al Shura), Abdullah ibn Muhammad Al ash-Sheikh, qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, transmeton Anadolu.

Fillimisht, ai realizoi takim me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Siç njoftojnë nga Kuvendi, Xhaferi i uroi mirëseardhje dhe i përshëndeti marrëdhëniet e deritanishme të mira dhe miqësore ndërmjet dy vendeve.

Xhaferi theksoi se vizitat e këtilla të përfaqësuesve më të lartë të Arabisë Saudite janë nxitje për përforcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në më shumë nivele, me theks në nevojën për intensifikimin dhe përforcimin e komunikimit politik të ndërsjellë në të gjitha nivelet, a sidomos edhe në planin ekonomik.

“Kryetari Xhaferi veçanërisht e theksoi bashkëpunimin parlamentar dhe i përshëndeti nismat e deritanishme të pranuara nga ana e Arabisë Saudite për nënshkrimin e më shumë marrëveshjeve bilaterale në fusha të ndryshme”, thuhet në njoftim, ku shtohet:

“Xhaferi informoi bashkëbiseduesit për përcaktimin strategjik të Republikës së Maqedonisë së Veriut si shtet dhe njëherazi pjesë e Aleancës së NATO-s për të synuar gjithmonë paqen dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe në këtë drejtim shprehu shpresë se veprimet ushtarake në Lindjen e Afërme dhe në Ukrainë do të përfundojnë së shpejti. E përshëndeti bashkëpunimin e deritanishëm në planin multilateral a e theksoi edhe mundësinë që në periudhën e ardhshme së bashku me Mbretërinë e Arabisë Saudite të punohet në planin e shfrytëzimit të potencialit ekonomik dhe rritjes së këmbimit tregtar”.

Kryetari i Kuvendit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Abdullah ibn Muhammad Al ash-Sheikh, falënderoi për pritjen e ngrohtë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe takimin me Kryetarin Xhaferi. Ai konfirmoi se takimet e këtilla janë të dobishme për të dyja palët, sidomos në drejtim të përforcimit dhe afrimit të marrëdhënieve të ndërsjella ndërshtetërore.

Në këtë kontekst, ai i propozoi Kryetarit Xhaferi që në përbërjen e ardhshme parlamentare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut të formohet grup i veçantë i bashkëpunimit vetëm me Mbretërinë e Arabisë Saudite, si dhe drejtoi edhe ftesë verbale për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Arabisë Saudite në periudhën e ardhshme.

“Ne si vend dhe si komb jemi të përcaktuar për paqe dhe bashkëpunim me të gjitha vendet në botë dhe në këtë drejtim, kisha dashur që të punojmë me vendin Tuaj në shfrytëzimin më të madh të potencialit ekonomik që e kemi,” theksoi në fund të elaborimit të vet Kryetari i Kuvendit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Abdullah ibn Muhammad Al ash-Sheikh.

– Takim me Pendarovskin

Sipas njoftimit të Presidencës së Maqedonisë së Veriut, presidenti Stevo Pendarovski e priti në takim Abdullah ibn Muhammad Al ash-Sheikh, në të cilin shprehu kënaqësinë për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe të karakterizuara me miqësi dhe mirëkuptim të ndërsjellë.

Në takim u theksua se bashkëpunimi mes dy vendeve është intensifikuar vitet e fundit, gjë që konfirmohet nga aktivitetet e shumta të të dyja palëve.

Në këtë drejtim, Pendarovski tregoi se me vizitën e sotme pret forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit parlamentar, që është segment i rëndësishëm i marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale të dy vendeve.

Gjithashtu, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime dhe informacione për situatën aktuale në Lindjen e Mesme, si dhe në kontekstin e pozitës së rëndësishme të Arabisë Saudite në botën arabe.

Pendarovski theksoi se Maqedonia e Veriut vlerëson rolin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në përpjekjet stabilizuese në rajonin e Lindjes së Mesme.

Ai theksoi se për të gjitha çështjet e sigurisë në Evropë, si dhe në Lindjen e Mesme dhe në rajon, Maqedonia e Veriut është në përputhje me qëndrimin e BE-së dhe i koordinon politikat e saj brenda BE-së dhe me vendet partnere të NATO-s.

“Në takim është biseduar edhe për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve, ku presidenti Pendarovski ka dërguar urimin e tij për EXPO 2030, që do të mbahet në Rijad. EXPO 2030, siç theksoi presidenti Pendarovski, do të përfaqësojë një vlerë të shtuar në marrëdhëniet mes dy vendeve mike dhe do të ndikojë në ekonominë e Maqedonisë në fusha të ndryshme si energjia, turizmi, bujqësia dhe përpunimi i ushqimit, patundshmëria, industria”, thuhet në deklaratë.

Related posts

Shtëpia e Bardhë: Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë takohen virtualisht për të diskutuar operacionin Rafah

admin

Lëshohen në hapësirë satelitët Albania 1 dhe Albania 2

admin

Shumë zjarre po digjen në veri të Iz’raelit

RTI