Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nga e premtja ka nisur që t’i kryejë punët e Komunës me një veturë të re.
Vetura e tipit “Shkoda Superb”, me 2000 kubikë, ka marrë targat zyrtare dhe do të jetë në shërbim të kryetarit.
Në buxhetin e këtij viti, për të ishin ndarë 46 mijë euro derisa me kontratën e nënshkruar, ajo ka kushtuar 36 mijë e 800 euro.
Se që tani do të udhëtojë me veturë tjetër, ka konfirmuar edhe vetë Rama.
“Shumë fantastike”, tha Rama.
Përfaqësuesit e opozitës në Prishtinë e quajtën blerjen e veturës si të panevojshme në këtë fazë, teksa theksuan se kryeqyteti ka probleme më të mëdha se sa rritja e luksit personal për kryetarin.
“Një veturë mund të jetë nevojë për një kryetar komune, por jo domosdoshmërish të jetë e shtrenjtë”, tha Sami Boroci, Këshilltar komunal i AKR-së.
Nga INPO thanë se Komuna ka shkurtuar afatet e ofertave për veturë, në atë që bie në kundërshtim me ligjin.
“INPO ka gjetur se Komuna e Prishtinës ka shkurtuar afatet për pranimin e ofertave, me arsye të pabazuara në ligj për të mos thënë edhe për arsye krejtësisht të paqëndrueshme, përkatësisht në kundërshtim me ligjin, duke ndikuar kështu që të vështirësohet pjesëmarrja e të gjithë operatorëve ekonomikë, për shkak të kohës së shkurtër për përgatitje të kërkesave të dosjes së tenderit. Pra, nga 20 ditë sa e parasheh Ligji i Prokurimit, është shkurtuar në 12 ditë apo në vetëm 7 ditë pune. Vlen të theksohet se ky tender është paraparë me Planifikimin Përfundimtar të Prokurimit për vitin 2023 me 52.110 euro, por që me buxhet nuk i ka pasur kaq shumë para, e cila lë të nënkuptohet se Komuna planifikon më shumë sesa që ka”, tha Valmir Ilazi, përfaqësues i INPO-s.
Udhëheqësit e Prishtinës vazhdimisht kanë qenë lajm për sa u përket veturave.
Isa Mustafa, si kryetar i Komune, pati blerë një veturë të tipit “Audi Q7”, me vlerë prej mbi 70 mijë euro, përderisa pasardhësi i tij, Shpend Ahmeti, e ka shitur atë për 23 mijë euro në ankand publik.
Ahmeti e mbajti premtimin për shitjen e veturës, porse jo edhe atë se do të udhëtojë vetë me transport publik. Megjithëkëtë, vetura nuk është elektrike ashtu siç synonin komunarët. Vetura “Diesel” ka 150 kuaj fuqi.