RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kur pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës?

kur-pritet-te-mbahet-seanca-konstituive-e-kuvendit-te-kosoves?

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca konstituive e Kuvendit pritet të mbahet në fillim të muajit gusht, ndërsa data dhe ora e saktë do të publikohen javën e ardhshme.

Haxhiu theksoi se Kushtetuta i jep presidentit afat prej 30 ditësh për thirrjen e seancës konstituive dhe se ka vendosur t’u japë hapësirë partive politike për të zhvilluar bisedime.

“Afati kushtetues është deri më 7 gusht dhe në fillim të gushtit do të ketë seancë konstituive. Javën e ardhshme ju premtoj që do ta dini ditën e saktë edhe orën e saktë”, deklaroi Haxhiu.

Sipas saj, kjo qasje synon të krijojë mundësi për arritjen e një marrëveshjeje politike para konstituimit të Kuvendit, në mënyrë që të shmanget zvarritja e procesit të zgjedhjes së presidentit.

“E kam vlerësuar që t’ju jap partive politike kohën në dispozicion në mënyrë që të mbërrijnë te një marrëveshje, që sapo pastaj të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, të mos ketë nevojë që të presim 60 ditë për të zgjedhur presidentin”, tha ajo.

Haxhiu paralajmëroi se dështimi për zgjedhjen e presidentit mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat, sipas saj, nuk do të ishin në interes të qytetarëve.

“Askush nuk i do zgjedhjet e jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës sepse nuk do të zgjidhnin asgjë”, theksoi ajo.

Ajo përshëndeti vazhdimin e takimeve të iniciuara nga kryeministri Albin Kurti me partitë politike, duke vlerësuar pjesëmarrjen e PDK-së dhe LDK-së në fazën fillestare, ndërsa shprehu keqardhje që LDK-ja ka pezulluar negociatat dhe i bëri thirrje AAK-së t’u përgjigjet pozitivisht ftesave.

Haxhiu theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së të gjithë deputetëve në seancën konstituive.

Related posts

Bosnjë e Hercegovina bën thirrje për rritjen e numrit të trupave të EUFOR-it në vend

Muhamet Ramadani

Të shtëna me armë në qendër të Athinës, disa të plagosur

admin

Kurti kërkon Gjykatë Speciale për “Sarajevo safari”, thotë se edhe Vuçiq ka pasur rol

Muhamet Ramadani