Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka konfirmuar se sot do takohet me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Ai po ashtu bëri të ditur se të dielën ka zhvilluar një bisedë telefonike gjysmëorëshe me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe ky takim i ditës së sotme, është vazhdimësi e asaj bisede.
Në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel, Kurti tha se vazhdimisht koordinohet me faktorët ndërkombëtarë.
Duke folur për marrëveshjen e arritur në Ohër, kryeministri Kurti tha se zgjidhja është te implementimi i shpejtë i të gjitha pikave, duke thekësuar se dakordimi i marrëveshjes pa nënshkrime ishte gabim.
“Vështirësitë të cilat i kemi është mungesa e implementimit. Ky proces pa një nënshkrim të palëve ishte një gabim i madh. Sepse mosnënshkrimi i marrëveshjes e ka hapur derën për shkeljen apo mos implementim. Çka duhet është implementim i shpejtë i të gjitha pikave pa parakushte ose vonesa. Kjo është çka unë besoj që është zgjidhja…mos të heqim dorë nga marrëveshja, është shumë e rëndësishme”, deklaroi ai.