Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kanë pritur në një takim të përbashkët ambasadorët dhe diplomatët e akredituar në Republikën e Kosovës.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, temë qendrore e këtij takimi ishte sulmi terrorist mbi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, nga i cili u vra në krye të detyrës, rreshteri i Policisë, tash Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Në adresimin e tyre para diplomatëve ndërkombëtar, kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla, i njoftuan ata mbi zhvillimet më të fundit sa i përket situatës së sigurisë në vend, prezantuan qëndrimet zyrtare të Republikës së Kosovës karshi këtij sulmi terrorist dhe njëherazi kërkuan, që komuniteti ndërkombëtar të dënojë fuqishëm veprimet destabilizuese të institucioneve shtetërore të Serbisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se gjatë takimit, kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla, theksuan se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës edhe një herë kanë dëshmuar profesionalizëm dhe maturi, duke treguar se janë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe paralelisht me këtë angazhimin e tyre për garantimin e integritetit territorial, sigurisë, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.
Në përfundim të takimit, kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla kanë ripërsëritur qëndrimin se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për të bashkëpunuar ngushtë dhe bashkërenduar veprimet ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe shteteve partnere, aleate dhe mike për të siguruar paqe dhe siguri në vend dhe rajon.