RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kurti fton Emiratet e Bashkuara Arabe për investime në Kosovë

kurti-fton-emiratet-e-bashkuara-arabe-per-investime-ne-kosove

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në ndërtesën e Qeverisë për një takim bilateral, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, që krahas stafit të tij, po shoqërohej nga ambasadorja jo-rezidente për Kosovë, Nabila Al Shamsi.

Falënderues për vizitën, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën e Emirateve të Bashkuara Arabe ndaj Kosovës dhe popullit të saj, në ditët më të vështira si refugjatë në vitin 1999, për mbështetjen pas shpalljes së pavarësisë si shtet sovran, dhe për marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe. Mirënjohje të veçantë shprehu për Spitalin e Fëmijëve “Sheikha Fatima” në Prishtinë, që u ndërtua me mbështetjen financiare të Emirateve të Bashkuara Arabe, e i cili u inaugurua në shtator të vitit 2021.

Ai e njoftoi për zhvillimet në vend, rezultatet e qeverisjes përgjatë dy viteve të saj, dhe për karakteristika që e bëjnë Kosovën vend të përshtatshëm dhe tërheqës për investitorë. Duke i ftuar që të hulumtojnë mundësitë për investime që Kosova ofron, ai gjithashtu i njoftoi me projektet infrastrukturore në fushën e transportit, dhe për planet dhe mundësitë në fushën e energjisë së ripërtëritshme, në të cilën fushë Emiratet e Bashkuara Arabe kanë përvojë të shquar.

Në takim, u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për Marrëveshjen Bazë dhe aneksin e zbatimit të saj, që u arrit në Ohër me 18 mars, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ministri Zayed Al Nahyan, i cili u shpreh i lumtur që po viziton prapë Prishtinën, falënderoi kryeministrin Kurti për mikpritjen, bashkëpunimin dhe për raportet e shkëlqyeshme bilaterale.

Përkrah kryeministrit, në takim ishin zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe deputeti i Kuvendit, njëherësh nënkryetari i Grupit të Miqësisë me Emiratet e Bashkuara, Armend Muja.​

Related posts

“Kina dhe Arabia Saudite forcojnë besimin e ndërsjellë strategjik”

admin

Ujgurët në ekzil në Turqi protestojnë kundër “gjenocidit kinez”

admin

Sveçla ha darkë me policët në veri, ushqimin ua dërgon një lokal nga Prishtina

admin