Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësin, Besnik Bislimi, kanë pritur në takim ambasadorët e QUINT-it, ku është përmendur nevoja që BE ta mbajë përgjegjëse Serbinë për shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjes së Brukselit.
Në këtë takim është bërë e ditur që është diskutuar se Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i Zbatimit duhet të zbatohen pa kushte, pa vonesa dhe në mënyrë të plotë.
“Në takim u diskutua për procesin e dialogut dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazë me Serbinë dhe Aneksin e Zbatimit nga takimi i 27 shkurtit në Bruksel dhe ai i 18 marsit në Ohër ndërmjet të dyja shteteve. Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi theksuan se Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i Zbatimit duhet të zbatohen pa kushte, pa vonesa dhe në mënyrë të plotë. Gjithashtu, u përmend nevoja që BE-ja ta mbajë përgjegjëse Serbinë për shkeljet e vazhdueshme që po i bën marrëveshjes”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Gjithashtu, thuhet se takimi i radhës në nivel të kryenegociatorëve pritet të zhvillohet të hënën.
“Procesi i dialogut do të vijojë me takimin e radhës të nivelit të kryenegociatorëve që pritet të zhvillohet të hënën e ardhshme, e cila do të ketë në fokus zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit”.