Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka qëndruar në Istog për të parë nga afër përmbytjet që kanë ndodhur dje në këtë komunë pas vërshimeve të mëdha. Ai ka thënë se do të ndihmojnë familjet e prekura, pas vlerësimit të dëmeve të shkaktuara.
Kurti ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës, me kamionët e saj ushtarak si dhe barka lundruese, po bën çdo gjë për të shpëtuar banorët dhe gjësendet e tyre elementare duke shtuar se Policia e Kosovës por edhe institucionet e tjera janë të angazhuara për ndihmë.
Ai ka folur pas vizitës që u ka bërë familjeve të evakuuara në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Istog.
“Bashkë me kryetarin e komunës Ilir Feratin, me ministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj, dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqin, erdhëm që t’i vizitojmë edhe dy familje të cilat janë evakuuar këtu në qendrën komunale të mjekësisë familjare. Bëhet fjalë për dy familje Jahaj, është Arton dhe Luljeta Jahaj me katër fëmijë dhe është Avdi dhe Floreta Jahaj me dy fëmijë, njëri prej të fëmijëve ndodhej me gjyshen por nuk ka të lënduar. Në këtë fatkeqësi kanë pasur fat ndërkaq Qeveria e Kosovës me të gjitha institucionet shtetërore do t’i ndihmojë e do t’i mbështesë mirëpo paraprakisht do të bëhet një vlerësim i këtyre dëmeve të shkaktuara dhe i nevojave që të vazhdojnë jetën normalisht”, ka thënë Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se Podujeva, Mitrovica, Skenderaj, Klina, Istogu, Peja dhe Gjakova kanë përjetuar përmbytje të cilat ua kanë rënduar jetën banorëve të këtyre anëve.
Kosova po përballet me përmbytjet prej ditës së djeshme, të cilat kanë ndodhur si pasojë e vërshimeve.
Komuna me gjendjen me të rëndë është Skenderaj në të cilën është shpallur edhe gjendje emergjente.
Në disa komuna janë evakuuar njerëzit derisa shumë prona kanë pësuar dëmtime të mëdha.