RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kurti: Nuk kemi ende marrëveshje politike, qëndrimet nuk përputhen – ka dallim mes rezultatit zgjedhor e kërkesave të LDK-së

kurti:-nuk-kemi-ende-marreveshje-politike,-qendrimet-nuk-perputhen-–-ka-dallim-mes-rezultatit-zgjedhor-e-kerkesave-te-ldk-se

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk ka prodhuar ende një marrëveshje politike, megjithëse, sipas tij, bisedimet janë zhvilluar në një atmosferë të hapur dhe të sinqertë.

Pas përfundimit të takimit, Kurti tha se diskutimet janë përqendruar te vështirësitë për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të.

“Takimi ishte i hapur, i sinqertë. Folëm për vështirësitë e konstituimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të, nuk kemi ende marrëveshje politike. Marrëveshjen politike nuk e kemi ende”, tha Kurti.

Ai theksoi se, pavarësisht betimit të 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, vendi ka nevojë për një marrëveshje politike që do të siguronte stabilitet institucional dhe do të shmangte mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

“Meqenëse dje u bë betimi i 120 deputetëve që përfaqësojnë vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, nuk kemi ende marrëveshje politike. Unë jam i bindur që për qëndrueshmëri përpara, që nënkupton edhe shmangien e zgjedhjeve të reja parlamentare, që padyshim sikurse ato të mëhershmet do të ishin të panevojshme, të paarsyeshme e madje edhe të dëmshme për buxhetin e shtetit dhe për ekonominë e vendit, nuk është e mundur ndryshe përveçse pa marrëveshje për çështjen e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re”, tha ai.

Sipas Kurtit, përvoja e deritanishme ka treguar se pa një dakordim për zgjedhjen e presidentit, institucionet mund të përballen sërish me bllokadë, gjë që, sipas tij, mund të çojë në shpërndarjen e Kuvendit.

“Pra, në kushtet kur ne zgjedhim kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit, zgjedhim qeverinë e re të Republikës së Kosovës, mirëpo vijmë sërish tek problemi i zgjedhjes së presidentit, kjo është një formulë tashmë e sprovuar dhe me metoda të njëjta nuk mund të kemi rezultate të tjera. Andaj kjo do të shpjerë të pashmangshëm drejt shpërndarjes së Kuvendit. Marrëveshjen politike nuk e kemi ende. Pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime që ka një dallim drastik midis rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, deklaroi Kurti pas takimit me Abdixhikun.

Related posts

Ushtarët izraelitë vrasin 3 palestinezë dhe plagosin 44 të tjerë në Bregun Perëndimor – VIDEO

admin

Një fëmijë dëshmor dhe disa të plagosur nga shpërthimi i mjeteve të pashpërthyera në Gaza

RTI

Turqia: Gjatë fluturimit në Kroaci u humb kontakti me avionin e Drejtorisë së Përgjithshme të Pyjeve

Muhamet Ramadani