RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kurti për shqiptarët në Luginë: Do të jemi gjithmonë shtëpi dhe krah për ta

kurti-per-shqiptaret-ne-lugine:-do-te-jemi-gjithmone-shtepi-dhe-krah-per-ta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në tre vjetorin e qeverisjes së tij, ka shkruar se shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk po lihen më në harresë e të pambrojtur.

Sipas kryeministrit, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës.

“Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk po lihen më në harresë e të pambrojtur. Ata tash gëzojnë kujdesin e përkrahjen tonë gjithnjë e më të madhe, çdo vit e më shumë. Me qeverinë tonë Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës. Për vitin 2022 ndamë 2 milionë euro. Këtë vit të buxhetuar kemi 3 milionë euro. Vëmendja jonë dhe ndihma nuk ka munguar as para kësaj. Në qeverisjen tonë të parë, në vitin 2020, patëm ndarë gjysmë milioni euro në përballjen e tre komunave me shumicë shqiptare me pandeminë Covid-19. Vitin pasues, kur Komuna e Preshevës u godit nga vërshimet, ndamë 100 mijë euro mbështetje për tejkalim dhe rikuperim të dëmeve”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai tutje ka thënë se në vitin 2022 ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar, ku përmes këtij bashkëpunimi janë mbështetur 75 projekte.

“Ruajtja e identitetit, mozaikut kulturor e traditave, është e qenësishme për ekzistencën e shqiptarëve atje, duke patur parasysh përmasat e diskriminimit të skajshëm me të cilin ata përballen. Për këtë arsye në vitin 2022 nënshkruam një memorandum bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar. Përmes këtij bashkëpunimi deri më tani janë mbështetur 75 projekte e nisma të ndryshme”, tha Kurti.

I pari i ekzekutivit ka përmendur edhe sigurimin e librave në vitin 2022 dhe 2023, kurse për studentët ka siguruar 107 bursa studimore.

“Në të njëjtën kohë arsimi është kyç për edukimin e brezave dhe mësimin e historisë, andaj siguruam libra shkollorë dhe parashkollorë në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë për vitet 2022 dhe 2023. Ndërsa për 107 studentë, siguruam 107 bursa studimore”, shkroi Kurti.

Ndryshe, Kurti tha se do të jetë gjithmonë adresë, shtëpi dhe krah për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës, dhe Bujanocit.

“Me drejtësi, zell e shpërndarje të barabartë, dhe me trajtim vëllazëror sa edhe kombëtar, do të jemi gjithmonë adresë, shtëpi dhe krah për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, deklaroi Kurti./

Related posts

“Nëse nuk bëhen bashkë do të bëhet e zezë dita”, Berisha thotë se anti UÇK-izmi bashkon Kurtin, Osmanin dhe Abdixhikun

RTI

Nisi pushtimin e befasishëm një javë më parë, Ukraina shkatërron urën ruse në rajonin e Kurskut

admin

Presidentja e KE-së, Von der Leyen do të vizitojë Kievin

admin