Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas Krushës së Madhe ka bërë sot homazhe edhe në Krushë të Vogël. Derisa ka kujtuar gjithë të rënët për liri, Kurti ka deklaruar se ndër qëllimet e institucioneve për të pagjeturit është hapja e arkivave në Beograd, pasi sipas tij, atje është e vërteta për planet gjenocidiale të Serbisë që kanë rezultuar me qindra masakra në Kosovë.
Ai ka thënë se qëllimi tjetër është zbulimi i varrezave të reja masive.
Po ashtu, kryeministri Kurti ka thënë se me krenari dhe përgjegjësi është prioritet i qeverisë dhe institucioneve për drejtësi e rehabilitim që t’i mbajnë lart figurat e gjithë të rënëve për liri.
“Nga Krusha e Madhe ku kemi aq shumë varre e nuk e kemi Ukshin Hotin ende, erdhëm në Krushë të Vogël, në këtë vend që ështe një dëshmi e madhe e gjenocidit të Serbisë. Meqenëse, këtu para 24 vjetëve, forcat policore ushtarake të Serbisë rrethuan fshatin dhe u përpoqën të shfarosin gjithë shqiptarët, duke i vrarë jo të gjithë burrat, por edhe fëmijë. Kjo ishte përpjekje e tyre që në vendin tonë të mos ngelen njerëzit tanë, pjesë e operacionit të tyre patkojë që e kishte gjenocidin për kryëfjalë të projektit serbomav. Ne me pikëllim e dhembje kujtojmë humbjet dhe vuajtjet, por në të njëjtën kohë me krenari dhe përgjegjësi do t’i mbajmë lart në prioritet e qeverisë tonë e të institucioneve për drejtësi e rehabilitim”, ka thënë Kurit.
Mes tjerash, Kurti ka folur edhe për numrin e madh të të pagjeturëve, me ç’rast, ka thënë se ata nuk janë thjesht të pagjetur, por të zhdukur me dhunë.