Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditëve në vijim pritet të ketë një takim me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan.
Kjo u bë e ditur dje, teksa Kurti ka pritur në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili.
Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se ditëve në vijim mund të ketë një takim midis Kurtit dhe presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.
“Ky takim u zhvillua në prag dhe të vizitës zyrtare të kryeministrit Kurti në Ankara dhe Stamboll ditët e ardhshme, ku në mesin e agjendës do të ketë mundësi të zhvillojë dhe një takim bilateral me Presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan”, tha Zyra e Kryeministrit.
“Në Stamboll do të mbahet edhe Forumi i parë Ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Turqisë ku do të marrin pjesë biznese të shumta nga Kosova dhe Turqia si një mundësi unike për të zgjeruar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga ZKM-ja.
Tutje thuhet se gjatë bashkëbisedimit është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe rëndësia e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta edhe në fushat e kulturës, mbrojtjes dhe investimeve.
“Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë e popullit të saj ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, veçanërisht për rolin e saj në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare e përkrahjen e palëkundur së fundmi për aderim në Këshillin e Evropës”, thuhet më tej në njoftim.