RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kurti priti në takim Drejtorin e Qendrës Memoriale të gjenocidit të Srebrenicës

kurti-priti-ne-takim-drejtorin-e-qendres-memoriale-te-gjenocidit-te-srebrenices

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mirëpriti në takim Emir Suljagić, Drejtor i Qendrës Memoriale të gjenocidit të Srebrenicës i cili është dhe i mbijetuar i këtij gjenocidi të kryer nga forcat serbe në korrikun e vitit 1995, në të cilën u vranë mbi 8.000 boshnjakë.

Ai i uroi mirëseardhje në Kosovë, në 25- vjetorin e çlirimit të vendit tonë dhe përfundimit të spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

Duke vlerësuar miratimin e rezolutës së Kombeve të Bashkuara mbi 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës, Kryeministri rikujtoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar në korrikun e vitit 2021 një rezolutë të posaçme e cila e dënon gjenocidin serb në Srebrenicë.

Në takim u vlerësua bashkëpunimi mes Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës dhe memorandumi i bashkëpunimit që pritet të nënshkruhet.

Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë për procese gjithëpërfshirëse të drejtësisë tranzicionale, si dhe finalizimin e Strategjisë së parë të Republikës së Kosovës për Drejtësi Tranzicionale.

“U tha se për paqe në Ballkan, Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj dhe të mbahet përgjegjëse për krimet, masakrat dhe gjenocidet e kryera, dhe që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e krimeve të kryera gjatë luftës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Duke e falënderuar Kryeministrin për takimin, Suljagić shprehu mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë që po i bëhet në Kosovë si dhe ritheksoi potencialin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Related posts

Scholz dhe Steinmeier së bashku në 32-vjetorin e ribashkimit të vendit

admin

E cilësoi neo-naziste, Giorgia Meloni tërheq padinë për kundër historianit 82-vjeçar, Luciano Canfora

admin

Biden dhe kryeministri spanjoll diskutuan për situatën në Gaza

admin