Një takim midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk pritet të ndodhë me ardhjen e Lajçakut të mërkurën në Prishtinë.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i ka thënë KOHËS se nuk kanë pranuar asnjë kërkesë zyrtare nga Lajçaku për takim me Kurtin.
“Për agjendën e z. Lajcak, ju lutemi që t’i drejtoheni ekipit të tij. Për takimet e Kryeministrit Kurti me z. Lajcak njoftoheni gjithmonë paraprakisht. Ne nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga z. Lajçak për takim me kryeministrin Kurti”, ka thënë ai.
Siç është raportuar gjatë ditës nga REL, Lajçak gjatë mbrëmjes të 25 janarit, pritet të qëndrojë në Prishtinë.
Për këtë vizitë ende nuk ka detaje të hollësishme, por diplomatët në Bruksel pohojnë se edhe këtë vizitë duhet parë si vazhdim të përpjekjeve dinamike për të bindur palët që të pranojnë propozimin evropian për marrëveshjen bazë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak, por edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, publikisht kanë mirëpritur qëndrimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sa i përket propozimit evropian, apo siç njihet edhe si plani franko-gjerman.
Më 23 janar, Vuçiq deklaroi se propozimi i BE-së është kornizë e re negociuese për Serbinë.
Për ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga BE-ja, Borrell ka diskutuar para ministrave të Jashtëm të bllokut gjatë 23 janarit.