Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York me një takim me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Përmes një postimi, Kurti ka thënë se gjatë takimit e ka falënderuar presidentin turk për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj Kosovës në proceset e ndërtimit të shtetit, zhvillimit, diplomacisë dhe fuqizimit ushtarak.
“Presidentin Erdoğan e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë përgjatë gjithë etapave të ndërtimit të shtetit të Kosovës, zhvillimit të tij, në diplomaci sikurse edhe për fuqizimin tonë ushtarak, bashkëpunimin në vënien e themeleve të industrisë sonë të mbrojtjes dhe përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO”, ka shkruar Kurti.
Sipas Kurtit, marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Turqisë janë forcuar, ndërsa shkëmbimi tregtar mes dy vendeve ka arritur vlerën prej 1 miliard dollarësh.
Ai ka theksuar se synimi është që ky bashkëpunim të zgjerohet edhe më tej, duke përmendur edhe rritjen e investimeve turke në Kosovë.
“Po ashtu, janë rritur edhe investimet në Kosovë ku së fundmi kemi nisjen e fabrikës së re të municionit në Gjakovë dhe Parkun e Energjisë së Erës në Rahovec që janë në bashkëpunim me kompani nga Turqia”, ka deklaruar Kurti.
Gjatë takimit, kryeministri kosovar ka shprehur mirënjohje edhe për rolin e Turqisë në misionin e KFOR-it dhe kontributin e saj në sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.
Në këtë kuadër, Kurti ka vlerësuar profesionalizmin e gjeneralmajorit Özkan Ulutaş gjatë dy mandateve të tij si komandant i forcave të NATO-s në Kosovë.
Kurti ka bërë të ditur se me presidentin Erdoğan ka diskutuar edhe për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Ai e ka cilësuar vendimin si “të padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe të pasaktë historikisht dhe faktikisht”, duke theksuar se, sipas tij, ai duhet të korrigjohet në procedurën e apelit.

