Për të diskutuar për situatën në vend, raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Procesin e Berlinit dhe çështje tjera aktuale, kryeministri Albin Kurti ka takuar Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, shoqëruar nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde dhe të Dërguarin e posaçëm të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anžej Frangeš, i shoqëruar nga Ambasadorja e Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejčič.
Kurti u ka thënë se vendimi dhe veprimet e Qeverisë janë në shërbim të sundimit të ligjit dhe se marrin parasysh brengat e partnerëve ndërkombëtarë për sigurinë dhe paqen.
Ndërkaq sa i përket bojkotit të institucioneve nga Lista Serbe, ai ka thënë se është i nxitur dhe orkestruar nga Beogradi “që ka vazhduar qasjen destruktive në marrëdhëniet me Kosovën dhe se është përpjekje për ta mbuluar mosgatishmërinë për diskutime rreth elementeve të marrëveshjes kornizë që çon drejt normalizimin të plotë të raporteve”.
“Në anën tjetër, Republika e Kosovës e ka dëshmuar gatishmërinë dhe konstruktivitetin e saj në këtë proces”, ka shtuar Kurti.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, thuhet se Kurti i njoftoi emisarët për zbatimin e shkallëzuar të vendimit të qeverisë për targat ilegale duke theksuar se “deri sot në mëngjes janë lëshuar 1012 vërejtje për vozitësit me targa ilegale dhe se pavarësisht kësaj nuk ka asnjë incident shënuar; për punën e institucioneve për mbarëvajtjen e shërbimeve për të gjithë qytetarët; dhe për kërcënimet dhe sulmet që individë dhe banda kriminale po u bëjnë qytetarëve tanë në komunat në veri të vendit”.