Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim komandantin e KFOR-it gjeneral major Ferenc Kajari me të cilin ka biseduar mbi bashkëpunimin e ngushtë të Qeverisë së Kosovës dhe misionit paqeruajtës të NATO-s në vendin tonë.
Në takim u ritheksua rëndësia e KFOR-it në sigurimin e paqes dhe sigurisë në Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it.
Kryeministri Kurti theksoi domosdoshmërinë e përcjelljes së mesazheve të qarta për veprimet e strukturave kriminale në veri të Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend.
Ai po ashtu potencoi profesionalizmin dhe guximin e organeve tona të rendit dhe të sigurisë, përkatësisht Policinë e Kosovës, në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë sonë.
Ndërsa, komandanti i KFOR-it falënderoi kryeministrin Kurti për bashkëpunimin e mirë mes Qeverisë, Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, ndërsa i përgëzoi policët për sjellën profesionale lidhur me ngjarjet në veri.