Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në margjinën e Forumit Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës, ka takuar kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se Kurti në takimin me kryeministrin kroat, ka thënë se me Kroacinë, Kosova ka të përbashkët të kaluarën por edhe të ardhmen brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen historike të Republikës së Kroacisë ndaj Republikës së Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit, ndërsa falënderoi kryeministrin Plenkoviq veçanërisht për përkrahjen për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“U theksuan marrëdhëniet e mira bilaterale në mes të dy vendeve dhe gatishmëria për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët. Duke biseduar për indikatorët pozitivë ekonomikë, Kryeministri Kurti theksoi potencialin për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare”, thuhet në njoftimin nga Qeveria.