Daniel Thomas, një figurë e njohur e ekstremit të djathtë
Një thikë, një gomone emigrantësh dhe një kamerë që regjistron gjithçka. Daniel Thomas, i njohur në rrjetet sociale si Danny Tommo, ka realizuar atë që duket si aksioni i radhës i një aktivisti britanik të ekstremit të djathtë, duke iu afruar në La Mansh njërës prej gomoneve që kishte transportuar azilkërkues nga Franca drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Në videon e bërë virale, Thomas ndjek dy gomone që transportonin azilkërkues. Pasi emigrantët janë marrë nga një mjet shpëtimi, ai afrohet te njëra prej gomoneve, ku ndodhej ende një punonjës i emergjencave.
Përpara kamerës, nxjerr një thikë dhe nis të çajë gomonen, ndërsa bërtet: “Të shpëtojmë nga ajo varkë!”. Më pas dëgjohet duke thënë: “Kjo është Anglia. Kjo nuk është më Franca!”.
Punonjësit të emergjencës i kërkon të zbresë nga goma dhe më pas largohet së bashku me njerëzit që e shoqërojnë. Pamjet u shpërndanë në internet dhe sipas raportimit të mediave britanike, u ndoqën nga rreth 100 mijë persona në rrjetet sociale të Thomasit.
Sipas Royal National Lifeboat Institution, azilkërkuesit ishin ndodhur në ujë për rreth 36 orë përpara se të shpëtoheshin. Autoritetet kishin shprehur shqetësim për gjendjen e tyre dhe për rrezikun që gomonia të pësonte një dëmtim katastrofik. Organizatat që merren me refugjatët e kanë dënuar aksionin si të rrezikshëm dhe të dhunshëm.
Por kush është Danny Tommo?
Thomas nuk është një emër i panjohur për autoritetet britanike. Sipas The Guardian, ai ka kaluar rreth dy vjet në burg për një dënim që lidhej me tentativë rrëmbimi. Tashmë ai është shfaqur si një nga figurat kryesore të një rrjeti të ri protestash nacionaliste dhe kundër emigracionit në Britani.
Gjatë kësaj vere, Thomas bashkoi dhjetëra grupe nacionaliste në lëvizjen e quajtur Patriot Platform, e cila synon të mobilizojë kundërshtarët e politikave të emigracionit.
Vetëm dy javë më parë, mbështetësit e saj bllokuan portin e Portsmouth-it, pasi mësuan se aty pritej të mbërrinte një grup prej rreth 140 emigrantësh. Shumë prej protestuesve kishin mbuluar fytyrat me kapuçë dhe maska.
Aktiviteti i Thomas ka tërhequr edhe vëmendjen e qeverisë britanike. Sekretarja e Shtetit për Çështjet e Brendshme, Shabana Mahmood, e ka përshkruar atë si një figurë të ekstremit të djathtë dhe ka paralajmëruar se, nëse organizata e tij kryen vepra penale pranë qendrave të azilkërkuesve, do të përballet me ligjin.
Një tjetër pikë e mobilizimit të Patriot Platform ka qenë Piddington, në Oxfordshire, ku banorët kundërshtojnë planin për shndërrimin e një ish-baze ushtarake në qendër pritjeje për deri në 1.250 azilkërkues.
Më 16 shtator, 358 banorë morën pjesë në një referendum simbolik për “pavarësinë” e fshatit nga Mbretëria e Bashkuar: 285 votuan pro dhe 26 kundër. Tani, pas incidentit në La Mansh, policia e Hampshire dhe Isle of Wight ka nisur verifikimet.
Nëse konfirmohen dyshimet, Thomas mund të përballet me një tjetër çështje penale, ndërsa aksioni i tij e ka kthyer edhe një herë në qendër të debatit britanik përplasjen gjithnjë e më të fortë rreth emigracionit dhe azilit. tesheshi

