RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kurti para Kallasit dhe përfaqësuesve të Ballkanit Perëndimor: Kosova s’mund të mbetet peng i Serbisë

kurti-para-kallasit-dhe-perfaqesuesve-te-ballkanit-perendimor:-kosova-s’mund-te-mbetet-peng-i-serbise

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Kosovës t’i jepet pa vonesa të mëtejshme statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këtë kërkesë ai e ka bërë gjatë një takimi në Nju Jork me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, dhe përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në takim, përveç Kurtit dhe Kallasit, morën pjesë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, dhe ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë e Hercegovinës, Dino Konakoviq.

Kurti ka thënë se dhënia e statusit kandidat do të ishte, sipas tij, përgjigje ndaj përkushtimit të Kosovës për vlerat demokratike dhe orientimit euroatlantik.

“Statusi i shtetit kandidat për anëtarësim pa vonesa të mëtejme, përveçse i merituar, do të duhej të ishte përgjigjja e Bashkimit Evropian për besnikërinë e Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe përcaktimit të qartë strategjik euroatlantik, por edhe veprim inkurajues për hov të shtuar në përkushtimin tonë për reforma e zhvillim”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri ka kritikuar edhe vonesën në shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, i cili ishte dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë.

“Mbajtja në sirtar e aplikimit të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, përderisa jemi tërësisht të linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe kemi shënuar përparim të rëndësishëm në pothuaj tërë fushat, përveçse padrejtësi ndaj Republikës së Kosovës do të ishte inkurajim i akterëve destabilizues rajonal dhe më gjerë”, ka deklaruar Kurti.

Në këtë kontekst, Kurti ka thënë se Kosova nuk duhet të mbetet peng i Serbisë në procesin e integrimit evropian. Ai ka kritikuar Beogradin për qëndrimet e tij ndaj personave të dënuar për krime të luftës, si dhe për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Republika e Kosovës nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i fqinjit të saj verior, shtetit që mbron e shpërblen kriminelët e këtij shekulli dhe glorifikon të tjerët që kryen krime kundër njerëzimit, krime lufte e gjenocid në fund të shekullit të kaluar, në luftërat e ish-Jugosllavisë. Sikurse, mohon e fsheh krimet dhe refuzon të bashkëpunojë në zbardhjen e të vërtetës për të zhdukurit me dhunë, duke pamundësuar drejtësinë. Ndërsa vijon me shkelje të të drejtave dhe spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka shkruar Kurti.

Takimi në Nju Jork u zhvillua me përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku u diskutuan çështje që lidhen me procesin e integrimit evropian dhe zhvillimet në rajon.

Related posts

BE-ja e kënaqur me progresin e bërë në negociatat e paqes me Ukrainën

admin

Trafik armësh nga Kosova drejt Shqipërisë, goditet grupi kriminal, tre të arrestuar nga Gjilani

Muhamet Ramadani

“Gjermania do blejë nga Izraeli sistemin e mbrojtjes ajrore Arrow 3”

Muhamet Ramadani