RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kush po e mbjell farën e përçarjes së protestës?

kush-po-e-mbjell-faren-e-percarjes-se-protestes?

Midis kurthit të sistemit të vjetër dhe betejës së egove

Çdo lëvizje qytetare në zanafillën e saj ka një moment pastërtie. Një grup njerëzish që bashkohen rreth një kauze të përbashkët, të nxitur nga një pakënaqësi e përbashkët apo një shpresë e projektuar drejt së ardhmes.

Megjithatë, me kalimin e kohës zëri i revoltës fillon të bëjë jehonë në korridoret e pushtetit dhe skenari ndryshon. Kështu nisin të shfaqen çarjet e para. Pyetja që ngrihet natyrshëm është: Kush po e mbjell farën e përçarjes së protestës aktuale?

Skenari “përçaj dhe sundo”: Rama, Berisha dhe oligarkët pranë tyre

Për t’iu përgjigjur kësaj, duhet parë përtej pankartave. Më i interesuar për dështimin e çdo revolte është vetë sistemi i vjetër politik. Edi Rama dhe Sali Berisha, ndonëse në pole të ndryshme në dukje, gjejnë një emërues të përbashkët kur bëhet fjalë për të neutralizuar çdo lëvizje të pakontrolluar që vjen nga poshtë.

Për ta, një masë homogjene qytetare është dukshëm një rrezik ekzistencial dhe parrullat kundër tyre nuk lënë hije dyshimi për këtë. Këtij binomi i bashkohen menjëherë oligarkët pranë tyre, të cilët ndihen hapur të prekur nga një lëvizje që guxon të denoncojë favorizimin e disa biznesmenëve të oborrit në dëm të të tjerëve dhe të tregut të lirë.

Strategjia e tyre është e vjetër sa edhe bota: goditje nën brez dhe devijim i qëllimshëm i kauzës. Mediat pranë qeverisë nisin menjëherë punën. Ato u bëjnë një jehonë të jashtëzakonshme këtyre përçarjeve, duke zmadhuar çdo sherr periferik për t’ia shitur publikut si një dështim të pashmangshëm të lëvizjes.

Egot dhe fraksionet

Megjithatë, fara e përçarjes gjen terren pjellor edhe te vetë anatomia e organizimit të protestës, ku shfaqet sindroma e protagonistit dhe përplasja e axhendave të ndryshme. Në njërën anë të ringut të brendshëm shfaqen aktivistë dhe figura mediatike si Altin Goxhaj, Arben Kola apo Armir Shkurti, të pozicionuar dukshëm në fraksione rivale që shpesh harxhojnë më shumë energji duke sulmuar njëri-tjetrin sesa sistemin.

Nga ana tjetër, fusha e betejës copëtohet nga ambiciet e forcave të reja politike. Grupi i “Lëvizjes Bashkë” të Arlind Qorit kërkon të ruajë profilin e pastër ideologjik, partia “Mundësia” e Agron Shehajt tenton të kapitalizojë pakënaqësinë e shtresës së mesme, ndërsa lëvizja “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt dukshëm ka mbetur më në hije dhe e tërhequr sesa forcat e tjera të reja në këtë përplasje ballore me establishmentin.

Kur interesi i secilit grup për të vendosur flamurin e vet mbi protestë kalon mbi kauzën fillestare, lëvizja pushon së qeni njëzëri dhe kthehet në një kakofoni interesash. Rreziku më i madh i një proteste nuk vjen kurrë nga muret që ajo tenton të rrëzojë, por nga kalbëzimi i themeleve të saj të brendshme.

Tre skenarët e mundshëm

Përpara këtij realiteti, e ardhmja e protestës luhet në tre skenarë të mundshëm. Skenari i parë është ai i asfiksimi të lëvizjez. Pra protesta zbehet gradualisht nën peshën e debateve absurde dhe sulmeve personale mes fraksioneve. Njerëzit largohen të zhgënjyer, ndërsa Rama, Berisha dhe oligarkët festojnë triumfin e radhës të status-quo-së.

Skenari i dytë ai i “kanibalizimit politik”. Njëra nga forcat e reja apo fraksionet arrin të marrë kontrollin e plotë duke përjashtuar të tjerat, por kjo sjell një tkurrje të masës së protestuesve, duke e kthyer një revoltë popullore në një miting thjesht elektoral.

Ndërsa skenari i tretë dhe më i dëshirueshëm për fatet e vendit, është mbijetesa përmes unitetit. Pra organizatorët dhe liderët e rinj kuptojnë kurthin ku kanë rënë, ulin egot dhe krijojnë një front të përbashkët rreth parimeve bazë.

Që ky skenar i tretë të bëhet realitet, nevojitet një apel urgjent për unitet. Ndryshimi nuk vjen duke kërkuar përsosmërinë tek tjetri, por duke gjetur pikat që bashkojnë përballë një sistemi që ushqehet me ndarjet tona.

Në këtë pikëkthesë ku ndodhet lëvizja, çdo gjë varet nga aftësia e faktorëve të saj për të parë përtej interesit të ngushtë të ditës. Nëse egot dhe fraksionet do të vazhdojnë të mbizotërojnë mbi kauzën, historia thjesht do të përsërisë veten, duke vulosur dështimin e radhës së një shrese qytetare.

Prandaj, përpara se të jetë tepër vonë, ky moment kërkon një reflektim të thellë mbi atë mallkim të vjetër të historisë sonë që Gjergj Fishta e përmblodhi dikur aq hidhur: “Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë!”.

Mbetet në dorën e kësaj gjenerate protestuesish dhe liderësh të rinj që të dëshmojnë pjekuri politike, duke shpresuar që këtë herë, përpara një sistemi që kërkon t’i përpijë të ndarë, të mos vërtetohet sërish kjo thënie. tesheshi

Related posts

Përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme, Biden ndërpret udhëtimin e tij për t’u takuar me ekipin e sigurisë

admin

Zelensky: Rusia duhet t’i tërheqë trupat para se të arrihet marrëveshja e paqes

admin

Shpërthejnë dy bombola gazi në një banesë, lëndohet i mituri në Kosovë

admin