RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kushtetuesja rrëzon disa nene të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil

kushtetuesja-rrezon-disa-nene-te-ligjit-per-keshillin-e-pavarur-mbikeqyres-per-sherbimin-civil

Gjykata Kushtetuese të enjten ka rrëzuar nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, i cili u dërgua për shqyrtim nga kryetari grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri dhe nga Besian Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe 20 deputetë të tjerë.

Sipas vendimit, Kushtetuesja ka konstatuar se nenet 2, 7 dhe 8 të këtij Ligji nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike] “në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës]”.

Neni 6 i Ligjit të kontestuar, sipas Kushtetueses, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil].

“Nenet 9, 10 dhe 11 nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës”, thuhet në njoftim.

Kushtetuesja ia ka dërguar presidentes Vjosa Osmani ligjin për dekretim “sipas modaliteteve të përcaktuara në aktgjykimin e Gjykatës dhe pa nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar”.

Ligji për këshillin e pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil ishte miratuar në Kuvend gjatë vitit 2023.

Më herët gjatë ditës, Kushtetuesja i dha të drejtë Qeverisë për Ligjin për investime të qëndrueshme, pas shqyrtimit të kërkesës së deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës për vlerësim.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës të enjten ka publikuar edhe vendimin lidhur me kërkesën e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala dhe nëntë të tjerëve lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se nenet e kontestuara nga deputetët nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligji nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme, i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje.

Related posts

Kosova dhe Serbia në një përpjekje të re në Bruksel për dinarin serb

admin

Incidenti me presidenten në aeroport, del raporti zyrtar në Maqedoninë e Veriut

admin

Turqia i dhuron një kontingjent të uniformës ushtarake FSK-së

admin