RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Lavrov: Lufta hibride e zhvilluar kundër Rusisë ka për qëllim “demonizimin e vendit”

lavrov:-lufta-hibride-e-zhvilluar-kunder-rusise-ka-per-qellim-“demonizimin-e-vendit”

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, ka deklaruar se Perëndimi po zhvillon një luftë hibride kundër Rusisë duke synuar të “demonizojë vendin” dhe ta akuzojë atë për “të gjitha mëkatet vdekjeprurëse”, transmeton Anadolu.

Duke folur në hapjen e një takimi të Lëvizjes Ndërkombëtare Rusofile në Moskë, shefi i diplomacisë ruse tha se edhe në kohë lufte Rusia nuk e shtyn askënd të marrë këtë apo atë qëndrim.

“Vendet e jugut global, shumica e botës, janë në gjendje të nxjerrin vetë përfundime”, tha ai.

Lavrov shtoi se edhe në Perëndim ka njerëz që e kuptojnë “shkatërrimin e kursit ku ata që drejtojnë botën perëndimore sot, që e ndërtuan nën udhëheqjen e tyre, po përpiqen ta shtyjnë njerëzimin”.

“Ne të gjithë e dimë, kjo është shpallur publikisht, se SHBA-ja, anglo-saksonët, le të jemi të sinqertë, mbajnë frenat e qeverisë në duart e tyre dhe drejtpërdrejt, pa hezitim, i thonë Evropës se duhet ta harrojë autonominë strategjike. Ju të gjithë, thonë ata, do të bëni ashtu siç kemi vendosur”, tha Lavrov, duke shtuar se ka shumë evropianë që nuk pajtohen me këtë qëndrim.

Lavrov falënderoi të gjithë të huajt që erdhën në Moskë, duke e vlerësuar si një hap të “aktit të guximit që meriton respektim të thellë”.

“Padyshim, lufta hibride, e cila po përgatitet prej shumë vitesh dhe tani është nisur kundër Rusisë, synon të demonizojë vendin tonë në sytë e komunitetit botëror, ta akuzojë atë për të gjitha mëkatet vdekjeprurëse”, tha Lavrov.

Duke komentuar fjalët mirënjohëse të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për presidentin e SHBA-së, Joe Biden, lidhur me ndihmën për të reduktuar varësinë e Evropës nga energjia ruse, Lavrov tha se ky “falënderim” duhet të konsiderohet “përmes objektivit të rritjes së kostove të energjisë me më shumë se tre herë”.

Lavrov tha se pret që çmimet e larta të energjisë të ndikojnë seriozisht në konkurrencën e Bashkimit Evropian (BE) dhe ekonomisë evropianë.

“Ne nuk thërrasim askënd në një luftë të shenjtë kundër Perëndimit. Kjo luftë po na imponohet nga ata që vendosën se Rusia është një pengesë për dominimin e tyre në botë, gjë që nuk është kështu. Ne nuk po përpiqemi të frenojmë dikë që të ushtrojë interesa legjitime, por kur ata deklarojnë nevojën për ta nënshtruar të gjithë botën ndaj aleancës së Atlantikut të Veriut, se Azia është tashmë një territor ku duhet të komandojë gjithçka, mendoj se ndjenja e drejtësisë, e pandarë në popullin rus dhe në shumicën dërrmuese të të gjitha qytetërimeve botërore, duhet të ketë peshën e fjalës së saj”, tha Lavrov.

Siç theksoi ai, duke krijuar blloqe ushtarake si AUKUS dhe duke lëvizur infrastrukturën ushtarake të NATO-s në Azi, Perëndimi krijon kushte për “konfrontim për vitet në vijim”.

Sipas tij, “dallimi thelbësor” i Lëvizjes Ndërkombëtare Rusofile nga aleancat perëndimore është se ajo është krijuar për të nxitur bashkëpunimin dhe jo për të ngacmuar dikë.

Ministri rus tha se lëvizja dhe njerëzit pjesëmarrës mund të “persekutohen” dhe të kritikohen në mediat perëndimore.

“Për ne është edhe më e rëndësishme të qëndrojmë të ndershëm, të përkushtuar ndaj traditave më të mira ndërkombëtare të miqësisë mes popujve”, u shpreh ai.

Related posts

Policia bullgare gjeti 18 emigrantë të vdekur në një kamion të braktisur, mbijetojnë 28 të tjerë

admin

Sot mbahen zgjedhjet parlamentare në Sllovaki, sondazhet tregojnë epërsi të partisë pro-ruse

rezart morina

Policia vendos kamera të sigurisë në Leposaviq

admin