Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka dëshmuar në seancën gjyqësore ku kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të mbajtur më 10 gusht të vitit 2016.
Lekaj ka thënë se nuk i kujtohet që mbledhja është ndërprerë.
“Nuk më kujtohet që është ndërprerë, nuk mbaj mend se është ndërprerë ndonjë mbledhje e Kryesisë”. është shprehur Lekaj.
Prokurori Besart Mustafa ka pyetur Lekajn se “a ka hedhur Konjufca gaz lotsjellës në Kuvend”, por trupi gjykues e ka refuzuar këtë pyetje.
Prokuroria Themelore pretendon se Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në mbledhjen e Kryesisë, të mbajtur më 10 gusht 2016 dhe e akuzon atë për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në aktakuzën e vitit 2017, kryetarin aktual të Kuvendit e akuzoi edhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, por se ajo u vjetrua më 2022.
Në vitin 2016, Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar votimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës me hedhje të gazit lotsjellës. Përgjegjësinë për hedhje të gazit në emër të subjektit politik e ka marrë kryetari i LVV-së, Albin Kurti, tash kryeministër i Kosovës.
Në kohën kur ishte deputet opozitar, Kurti dhe bashkëpartiakët e kundërshtuan Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe atë për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.
“Kemi provuar me pipa vërshëllyes, me vezë, edhe më ujë e kemi provuar, edhe me gaz lotsjellës që të mos lejojmë kurrsesi ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi”, ka thënë Kurti në shqyrtimin gjyqësor më 20 dhjetor 2017.