RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Lëvizja “Tani Evropa” fiton zgjedhjet në Mal të Zi

levizja-“tani-evropa”-fiton-zgjedhjet-ne-mal-te-zi

Lëvizja centriste “Tani Evropa”, e prirë nga eksperti financiar Milojko Spajiq dhe presidenti aktual, Jakov Milatoviq, ka fituar zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Mal të Zi, por do t’i duhet të bëjë koalicion për shkak se e vetme nuk mund ta formojë qeverinë. Sipas rezultateve preliminare, “Tani Evropa” ka fituar me 26 për qind.

Koalicioni “Së bashku” (DPS-SD-LP-DUA) fitoi 23.5 për qind, “Për të ardhmen e Malit të Zi” (NSD-DNP) 15.1 për qind, koalicioni mes Lëvizjes Ura të Dritan Abazoviqit dhe demokratëve të Aleksa Beçiq “Guximshëm numërohet” 12.3 për qind.

Dalja në zgjedhje ishte 56 për qind – më e ulëta në Mal të Zi që kur u nda nga Serbia dhe u bë shtet i pavarur, në vitin 2006. Analistët thonë se kjo dalje e vogël mund të jetë për shkak se votuesit janë të lodhur nga zgjedhjet e shpeshta që nuk kanë prodhuar ndryshime të mëdha në skenën politike të Malit të Zi.

Ndryshe prej zgjedhjeve të kaluara kur u bë fushatë nëse shteti duhet të shkojë drejt BE-së apo të jetë më afër Rusisë dhe Serbisë, ekonomia dhe standardet e jetesës dominuan fushatën e këtyre zgjedhjeve.

Zgjedhjet ishin të parat në më shumë se 30 vjet, në të cilat nuk ka marrë pjesë Milo Gjukanoviq, i cili i priu vendit si kryeministër ose president që prej vitit 2001. Ai ka humbur zgjedhjet presidenciale në prill dhe nuk është në radhën e parë të politikës.

Sondazhet dhe analistët kishin parashikuar se lëvizja centriste “Tani Evropa”, e prirë nga eksperti financiar Milojko Spajiq dhe presidenti aktual, Jakov Milatoviq, do të fitonte.

Spajiq, 37-vjeçar, ish-ministër i Financave që në vitin 2021 krijoi reformat ekonomike, përfshirë ngritjen e pagës mesatare, ka premtuar ngritje të pagave dhe shtatë orë punë në ditë, 1 orë më pak sesa orari aktual i punës në Mal të Zi.

Partia Demokrate e Socialistëve, dikur e prirë nga Gjukanoviqi, ka përjetuar tkurrje të popullaritetit pas tri dekadave dominim dhe tani me liderin e ri po bën përpjekje për ringjallje.

Lideri i partisë, Danijel Zhivkoviq, ka akuzuar Qeverinë aktuale për rrezikimin e shtegut të Malit të Zi drejt BE-së. Mali i Zi dikur ishte konsideruar si shteti i parë nga Ballkani Perëndimor që mund të anëtarësohej në BE.

Gjukanoviqi e udhëhoqi Malin e Zi drejt pavarësisë nga Serbia më 2006 dhe sfidoi Rusinë për t’u bashkuar me NATO-n në vitin 2017. Aleanca e dominuar nga partitë që kërkonin lidhje më të ngushta me Serbinë dhe Rusinë e rrëzoi DPS-në nga pushteti në zgjedhjet e mëparshme parlamentare më 2020.

Aleanca e re qeverisëse, megjithatë, shpejt u zhyt në kaos, gjë që ngeci rrugën e Malit të Zi drejt BE-së dhe krijoi bllokadën e re politike. Qeveria humbi votën e mosbesimit vitin e kaluar, por ka qëndruar në detyrë për muaj të tërë për shkak të ngërçit. /koha

Related posts

Programi Botëror i Ushqimit pezullon ndihmën për palestinezët

rezart morina

Hamasi mirëpret rezolutën e OKB-së për territoret e pushtuara nga Izraeli

admin

Rasti “Veteranët”, Daut Haradinaj e quan Kurti veteran mashtrues

admin6