Kryeqyteti i Libisë, Tripoli u përfshi të shtunën nga luftime të ashpra mes fraksioneve rivale, më të ashprat prej dy vitesh paqeje relative. Një dëshmitar okular tha se forcat e rreshtuara në krah të një administrate që mbështetet nga parlamenti bënë përpjekje sot për të marrë pushtetin.
Ministria e shëndetësisë së Tripolit njoftoi për të paktën 12 të vrarë dhe 87 të plagosur, por nuk dha detaje se sa prej tyre ishin civilë dhe sa me u takonin grupe rivale që po luftojnë.
Përplasjet për kontrollin e qeverisë ka të ngjarë ta zhysin Libinë sërish në një luftë të plotë, pas dy vitesh paqeje relative, që solli një proces politik të dështuar që synonte mbajtjen e zgjedhjeve kombëtare.
Prej një muaji Qeveria e Unitetit Kombëtar (GNU) me bazë në Tripoli nën drejtimin e Abdulhamid al-Dbeibah po lufton për pushtet kundër një administrate rivale nën drejtimin e Fathi Bashagha-t, që mbështetet nga parlamenti.
Përleshjet shpërthyen dje në mbrëmje pasi një nga grupet kryesore të Tripolit sulmoi një bazë që ishte nën kontrollin e kundështarëve të tyre, thanë dëshmitarët atje. Ky zhvillim çoi në orë të tëra të shtëna e shpërthime nëpër të gjithë qytetin.
Luftimet u intensifikuan të shtunën në mëngjes, duke përfshirë përplasje me armë zjarri të vogla, deri tek mitralozët e rëndë e mortajat.
Ministria e shëndetësisë tha se ishin goditur gjithashtu disa spitale e qendra shëndetësore.
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Libi bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve dhe shprehu shqetësimin për bombardimet në zonat me civilë. /voa