Liderët e nëntë vendeve të Mesdheut dhe Evropës Jugore sot mblidhen në Maltë për një samit që synon të gjejë një qasje të përbashkët për çështjen urgjente të emigracionit, transmeton Anadolu.
Samiti MED9, i organizuar në mjedisin piktoresk Castille, do të mbizotërohet nga diskutimet se si të trajtohet në mënyrë efektive kriza e përshkallëzuar e njerëzve që kalojnë Mesdheun për të arritur në brigjet e Evropës.
Liderët e vendeve jugore të BE-së po kërkojnë të krijojnë një qëndrim të unifikuar për këtë çështje përçarëse, e cila është bërë gjithnjë e më urgjente derisa mijëra njerëz vazhdojnë të mbërrijnë në pragun e Evropës.
Ky samit po ashtu shënon vizitën e parë në Maltë për kryeministren italiane, Georgia Meloni, e cila ka shprehur zëshëm angazhimin e saj për të parandaluar që Italia të bëhet “kampi i refugjatëve të Evropës”.
Qëndrimi i saj vjen pas rritjes së mbërritjeve, me mbi 11 mijë njerëz që zbarkuan në ishullin Lampedusa brenda pak ditësh.
– Trafikimi i qenieve njerëzore dhe krimi i organizuar
Agjenda e samitit shtrihet përtej shqetësimeve të emigracionit, duke përfshirë çështje më të gjera që prekin BE-në.
Në listë janë diskutimet rreth trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar në një shkallë pan-evropiane.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, po ashtu do të marrin pjesë në seancat e para për të adresuar këto sfida kritike.
“Në Maltë për samitin MED9. Mesdheu ka mundësi të mëdha, veçanërisht për tranzicionin e gjelbër. Ajo gjithashtu është shtëpia e sfidave të përbashkëta, kështu që ne duhet të bashkojmë forcat me fqinjët tanë jugor. Bashkëpunimi më i thellë në të dy brigjet e detit do të na sjellë dobi të gjithëve”, shkroi von der Leyen në rrjetet sociale.
Këtyre diskutimeve u bashkohet edhe kryeministrja Meloni, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, lideri i Qipros Greke, Nikos Christodoulides, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, kryeministri portugez, Antonio Costa dhe kryeministri slloven, Robert Golob.
Bashkërisht ata synojnë të krijojnë një qasje kolektive ndaj këtyre çështjeve urgjente.
– Pakti i ri për emigracionin dhe azilin
Një tjetër temë kryesore në agjendën e samitit është pakti i ri i propozuar nga BE-ja për emigracionin dhe azilin.
Ky grup gjithëpërfshirës i rregullave dhe politikave të përditësuara synon të krijojë një qasje kohezive ndaj emigrimit brenda Evropës dhe pritet të jetë një pikë qendrore diskutimi gjatë sesioneve të para, ku von der Leyen dhe Michel do të japin njohuritë e tyre.
Kohëve të fundit, Malta ka arritur marrëveshje me Tunizinë dhe Libinë për të adresuar çështjet e emigracionit, përfshirë krijimin e Qendrës së Koordinimit Maltë-Libi.
Kryeministri i Maltën, Robert Abela, ka sugjeruar se ky model mund të zgjerohet për të funksionuar në nivel të BE-së, duke theksuar më tej nevojën për një qasje të unifikuar.
– Kontrollet kufitare në rritje
Ndërkohë, Gjermania të mërkurën njoftoi se do të vendosë kontrolle të përkohshme në kufijtë me Poloninë dhe Republikën Çeke, në një përpjekje për të frenuar hyrjen e emigrantëve të parregullt.
Ministrja gjermane e Punëve të Brendshme, Nancy Faeser, u tha gazetarëve se ajo ka urdhëruar, me efekt të menjëhershëm, masa shtesë policore në kufijtë e vendit me Poloninë dhe Republikën Çeke.
Kohëve të fundit, qeveria gjermane ka qenë nën presion në rritje për të trajtuar emigracionin pasi numri i emigrantëve të parregullt që hyjnë në vend është rritur në dy muajt e fundit.
Rreth 205 mijë emigrantë aplikuan për azil në Gjermani midis muajve janar dhe gusht të këtij viti, duke shënuar një rritje prej 77 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Italia po punon shumë për të marrë mbështetjen evropiane për të trajtuar fluksin e emigrantëve nga deti që arrijnë në vend, veçanërisht nga Tunizia.
Mijëra prej tyre mbërritën në ishullin e vogël mesdhetar Lampedusa, duke mbushur qendrat e pritjes dhe të kujdesit, si dhe duke shkaktuar protesta nga banorët.
Nëse këtë vit trendi aktual vazhdon me ritmin e deritanishëm, mbërritjet në Itali mund të tejkalojnë rekordin prej 160 mijë të regjistruar në vitin 2016.
We’re still waiting to see if Italian opposition to the German compromise discussed yesterday by interior ministers on the EU’s #MigrationPackage can be overcome.
It’s likely being discussed on the sidelines in Malta. pic.twitter.com/zUQH74M0EV
— Dave Keating (@DaveKeating) September 29, 2023