RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Lideri i Iranit Khamenei fajëson SHBA-në dhe Izraelin për protestat në vend

lideri-i-iranit-khamenei-fajeson-shba-ne-dhe-izraelin-per-protestat-ne-vend

Udhëheqësi iranian Ali Khamenei fajësoi SHBA-në dhe Izraelin për protestat që filluan në gjithë vendin pas vdekjes së Mahsa Aminit në arrest policor, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Këto trazira dhe krijimi i një problemi sigurie janë projekt i SHBA-së dhe regjimit sionist”, ka thënë Khamenei në një ceremoni diplomimi të forcave të sigurisë, sipas Agjencisë së Lajmeve Tasnim.

“Disa tradhtarë iranianë marrin pagë prej tyre dhe jetojnë jashtë vendit, u kanë ndihmuar atyre”, ka shtuar lideri suprem i Iranit, i cili së fundmi ka qenë temë e pretendimeve për probleme shëndetësore.

Duke thënë se fuqitë perëndimore synojnë të ndajnë Iranin përmes opozitarëve të regjimit, Khamenei ka thënë: “Qëllimi i fshehtë i armiqve që deklarojnë se nuk synojnë të sulmojnë Iranin dhe të ndryshojnë regjimin, është të provokojnë disa tipa të emocionuar duke bërë trazira në vend dhe duke shkatërruar atmosferën e sigurisë”.

Duke iu referuar sulmeve ndaj forcave të sigurisë gjatë protestave dhe deklaratave të disa artistëve dhe sportistëve iranianë në mbështetje të protestuesve, Khamenei ka deklaruar: “Përpjekjet kundër forcave të armatosura janë përpjekje kundër sigurisë së vendit. Ata që sulmuan stacionet e policisë, selinë e (forcave) Basij ose sulmuan verbalisht ushtrinë iraniane ose Gardën Revolucionare, ata kanë sulmuar sigurinë e vendit”.

Protestat në Iran

Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator, e cila u dërgua në spital në gjendje kome pasi u arrestua më 13 shtator nga patrullat e Irshadit të njohura si “Policia e moralit” në Teheran, shkaktoi zemërim të madh në mbarë Iranin.

Protestat që filluan pas ceremonisë mortore të Aminit më 17 shtator në qytetin e vendlindjes së saj Sakkiz, u përhapën më pas në shumë qytete të vendit.

Televizioni shtetëror i Iranit ka njoftuar se gjatë protestave kanë humbur jetën 41 persona, përfshirë edhe forca të sigurisë.

Megjithatë, organizata e të Drejtave të Njeriut në Iran (IHR) me bazë në Norvegji, ka pretenduar se 92 persona kanë humbur jetën në demonstratat në të gjithë vendin. /aa

Related posts

Vlerësime negative për klinikat e tyre, afër 60 mjekë në Japoni ngrenë padi ndaj Google Maps

admin

Turqia rrit integrimin tregtar me vendet islame

RTI

Jeff Bezos zotohet të dhurojë pjesën më të madhe të pasurisë së tij për bamirësi

admin