Vit pas viti gjatë muajve të dimrit, liqeni afër qytetit Priboj në Serbi mbushet me tonelata mbeturinash.
Mali gjigant i llumit përbëhet nga shishe plastike, fuçi të ndryshkura, kafshë të ngordhura dhe madje edhe mobilie apo pajisje shtëpiake.
Lumi Lim që derdhet në liqen fryhet gjatë muajve të dimrit dhe merr me vete mbeturinat nga dhjetëra deponi ilegale përgjatë brigjeve të tij. Ky lum rrjedh nga Mali i Zi në Serbi.
Është pothuajse e njëjta situatë si në lumin Drina të Bosnjës, në të cilin përfundimisht derdhet Limi.
Problemi shtrihet në dekada dhe rrjedh nga menaxhimi i dobët i mbetjeve dhe mungesa e përgjithshme e mbrojtjes mjedisore dhe masave mbrojtëse në të gjithë Ballkanin.
Buldozerët dhe makineri të rënda kanë punuar jashtë orarit javët e fundit për të pastruar tonelatat e mbeturinave.
Që nga fillimi i dhjetorit të vitit të kaluar, rreth 10 mijë metra kub mbeturina janë nxjerrë nga liqeni.
Por edhe kjo sasi është vetëm një pjesë e vogël e asaj që ende duhet të hiqet.
Mbetjet janë grumbulluar në një pengesë të madhe që mbyt liqenin e Potpecit.
“Ju mund ta shihni se si është situata, por në fakt është shumë më mirë tani se sa ishte më parë, sepse kemi pastruar shumë. Të gjitha llojet e mbeturinave – trungje pemësh, mbetje kafshësh e çfarë tjetër – nuk do t’i besoni llojet e gjërave që njerëzit hedhin në lumë. Shpresoj se nuk do të na duhet që të kthehemi këtu për të pastruar”, ka theksuar Milan Dishiq, që drejton ekskavatorin e mbledhjes së mbeturinave.
Është një detyrë e gjatë dhe e mundimshme, rimorkiatorët i kanë shtyrë mbeturinat në vijën bregdetare ku gërmuesit mekanikë i tërheqin në kontejnerë.
Zyrtarët nga Serbia, Bosnja dhe Mali i Zi në disa raste janë zotuar të punojnë së bashku për të zgjidhur problemin që prek lumenjtë e tyre të përbashkët, por pak është bërë në realitet.
Të tri vendet aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe pritet të bëjnë më shumë për të mbrojtur mjedisin e tyre nëse përpjekjet e tyre për anëtarësim duan të ecin përpara.
Problemi i plehrave është i dukshëm kudo – grumbuj mbeturinash krijojnë kodra dhe lugina nëpër Ballkan.
Problemi i ndërlikuar është se mbeturinat e grumbulluara thjesht hidhen në deponi dhe lëndët e riciklueshme pothuajse nuk ndahen ndonjëherë.
Aktivistët e mjedisit thonë se tani nevojiten veprime të ashpra.
Ndotja e ujit është vetëm një problem me të cilin përballen vendet e Ballkanit Perëndimor, nivelet e larta të ndotjes së ajrit tani prekin një sërë qytetesh në rajon. /koha
Serbia and other Balkan nations are virtually drowning in communal waste.
The surface of Potpecko lake is covered in garbage brought over by the Lim river. pic.twitter.com/0owdwyF0Mk
— euronews (@euronews) January 26, 2021