Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli dhe Arbnora Zogiani, mbajtën sot konferencë për media, një ditë para protestës masive “JO NË EMRIN TIM”, duke u bërë thirrje qytetarëve të bashkohen më 1 tetor, në orën 16:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të kundërshtuar aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Tasholli e cilësoi aktgjykimin të padrejtë dhe të papranueshëm, duke theksuar se ai nuk mund të merret në emër të popullit të Kosovës.
“Kosova nuk e ka nisur luftën. Kosova nuk ka qenë agresori. Shqiptarët e Kosovës kanë qenë viktima të një regjimi që për vite të tëra ua kishte mohuar lirinë, të drejtat dhe dinjitetin”, tha ai.
Sipas Tashollit, drejtësia duhet të vlejë për të gjithë, por nuk mund të jetë selektive dhe as të shkëputet nga e vërteta historike. Ai theksoi se reagimi qytetar ndaj aktgjykimit ka kaluar kufijtë e Kosovës, me protesta dhe mobilizim të shqiptarëve në Evropë dhe më gjerë.
Duke kujtuar protestën studentore të 1 tetorit 1997, Tasholli tha se nesër, 29 vjet më vonë, qytetarët do të mblidhen sërish në Prishtinë për të kërkuar drejtësi.
Ai kërkoi gjithashtu veprim të menjëhershëm nga Qeveria dhe Kuvendi për shqyrtimin dhe procedimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Institucionet duhet të përdorin çdo mjet juridik dhe shtetëror që është në dispozicion dhe në përputhje me ligjin, për mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve dhe për të vazhduar betejën juridike deri në përfundimin e të gjitha procedurave. UÇK-ja na bashkon! Nga studentët e vitit 1997 deri te qytetarët e sotëm, një gjë nuk ka ndryshuar: ne nuk e harrojmë lirinë, nuk e harrojmë sakrificën dhe nuk heqim dorë nga drejtësia”, shtoi ai.
Ndërkaq, Arbnora Zogiani ftoi qytetarët që nesër t’i bashkohen protestës me familjarët, miqtë dhe kolegët e tyre, duke njoftuar se nga çdo qytet i Kosovës do të ketë transport të organizuar. Oraret dhe vendet e nisjes tashmë janë publikuar.
Zogiani falënderoi mediat për përcjelljen e aktiviteteve dhe për jehonën që i kanë dhënë zërit qytetar, ndërsa veçoi kontributin e diasporës në mobilizimin kundër aktgjykimit.
“Diaspora jonë edhe një herë po dëshmon se largësia gjeografike nuk do të thotë largësi nga Kosova”, tha ajo, duke vlerësuar protestat, tubimet dhe aktivitetet e organizuara nga bashkatdhetarët në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të botës.
Në këtë vazhdë, Zogiani njoftoi se më 10 tetor në Bruksel do të mbahet protesta e radhës, e organizuar nga diaspora shqiptare, dhe ftoi bashkatdhetarët të marrin pjesë.
Platforma qytetare “Liria Ka Emër” u bën thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen nesër për ta ngritur zërin kundër padrejtësisë dhe për të kërkuar veprime konkrete institucionale në mbrojtje të çlirimtarëve.

