Rruga në Graçanicë e cila ishte e bllokuar gjatë ditës për shkak të kremtimeve lidhur me festën e “Vidovdanit”, është liruar për qarkullim.
Këtë e ka bërë të ditur për teve1.info, Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.
“Po është liru rruga për qarkullim”, ka thënë Kelani shkurtimisht.
Ka përfunduar festa e “Vidovdanit”, ku një numër i qytetarëve serbë janë mbledhur në liturgjinë e mbajtur në Manastirin e Graçanicës.
Gazetari i Tëvë1, Lindrit Zejnullahu ka raportuar se kjo festë ka përfunduar pa ndonjë incident.
Kujtojmë se aty janë shfaqur edhe mbishkrime nacionaliste.
Ndryshe, për shkak të situatës së sigurisë, peshkopi serb Teodosije Shibaliq ka marrë vendim që ceremonia e manifestimit të “Vidovdanit” të mos mbahet te monumenti që është afër Prishtinës, por në Manastirin e Graçanicës.
Gjithashtu Policia e Kosovës ka njoftuar se do të bllokohen disa rrugë.
“Festa e Vidovdanit mbahet në Graçanicë duke filluar nga ora (07:00), andaj do të ndërpritet përkohësisht qarkullimi i automjeteve në hyrje-daljet e komunës së Graçanicës, konkretisht në hyrje të fshatit Mramor dhe nga ana tjetër në hyrje të lagjes Veterrniku, ku automjetet do të riorientohen në rrugë alternative deri në përfundim të festës së Vidovdanit”, thuhet në njoftim.
PK-ja po ashtu ka bërë të ditur se do të ndërmirren masat e nevojshme planifikuese, koordinuese, preventive dhe operative në mënyrë që aktivitetet të zvillohen në suaza normale, të rendit dhe qetësisë publike.
“Vidovdani” është një festë fetare, që e shënon Kisha Ortodokse Serbe, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në Betejën e Kosovës kundër ushtrisë së Perandorisë Osmane, në vitin 1389.